Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kujtuar 144 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit ku thotë se ishte organizimi më i rëndësishëm që nga koha e Skënderbeut, raporton GazetaBlic.
Sipas Krasniqit, Lidhja e Prizrenit forcoi shqiptarët politikisht e ushtarakisht.
“Në historinë e lavdishme të popullit tonë, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni e Sulejman Vokshi, do të mbeten përgjithmonë burrështetasit që unifikuan, udhëheqën dhe frymëzuan shqiptarët gjatë gjithë shekullit pasues, për atdhedashuri e luftë për liri”, shtoi tutje Krasniqi.
POSTIMI I PLOTË:
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e themeluar nga delegatë të të gjitha viseve shqiptare, me 10 qershor të vitit 1878, saktësisht 144 vite më parë, ishte organizimi më i madh dhe më i rëndësishëm i shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut.
Ishte një lidhje që forcoi shqiptarët politikisht e ushtarakisht, i bashkoi dhe u dha lidership, në një periudhë kur po synohej copëtimi i skajshëm i trevave tona.
Në historinë e lavdishme të popullit tonë, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni e Sulejman Vokshi, do të mbeten përgjithmonë burrështetasit që unifikuan, udhëheqën dhe frymëzuan shqiptarët gjatë gjithë shekullit pasues, për atdhedashuri e luftë për liri.
Pavarësia e Shqipërisë dhe e Kosovës, fuqizimi i shqiptarëve në Ballkan dhe bashkimi i tyre në ndihmë njëri-tjetrit edhe sot, janë pikërisht synimi dhe amaneti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Nderim të përjetshëm!



