Opinion

Organi Shqyrtues i Prokurimit pa bord dhe ndikimi në investime kapitale

06/10/2022 10:04
nga:Agon Hysaj

Agon Hysaj Hulumtues KDI

Organi Shqyrtues i Prokurimit si institucion administrativ merr vendime të formës së prerë kur është fjala për ankesat në prokurim publik,.

Vendimet e këtij organi janë obligative për të gjitha Autoritetet Kontraktuese, pra gjithë institucionet e Kosovës. Palët e pakënaqura me vendimet e OSHP-së, duke përfshirë bizneset, mund t’i drejtohen Gjykatës për të kërkuar rishikimin e vendimit por pa e shtyrë ekzekutimin e vendimit të OSHP-së, përkatësisht palët e pakënaqura mund të kërkojnë dëmin apo fitimin e humbur.

Që nga data 31 mars 2021, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur pa bord dhe si rezultat ankesat e operatorëve ekonomik nuk mund të shqyrtohen dhe aktivitetet në të cilat janë paraqitur ankesa kanë mbetur të suspenduara në pritje të vendimeve të OSHP-së.

Disa institucione kanë shfrytëzuar dispozitat e Ligjit për Procedurë të Përgjithshme Administrative dhe pas kalimit të afatit të OSHP-së për të nxjerr vendim kanë vazhduar me nënshkrimin e kontratës. Mirëpo shumica dërrmuese e aktiviteteve të prokurimit kanë mbetur të bllokuara. Pjesa më e madhe e ankesave kanë të bëjnë me shërbimet publike esenciale siç janë investimet kapitale dhe furnizimet e domosdoshme, siç mund të jenë furnizimi me medikamente, ndërtimi apo renovimi i shpive të shëndetit, mirëmbajtja e rrugëve apo investime të tjera të domosdoshme. Pa folur fare për ndikimin që këto aktivitete të prokurimit të suspenduara kanë në ekonomi dhe në shëndetin e sektorit privat, ndikimi në performancën e institucioneve në ofrimin e shërbimeve është tejet i lartë.

Që nga 31 mars 2021 e deri me tani, janë grumbulluar rreth 800 ankesa, të cilat nuk janë shqyrtuar. Mirëpo numri i aktiviteteve të prokurimit është pak më i ulët për shkak se në disa rast janë dorëzuar më shumë se dy ankesa për një aktivitet të prokurimit. Pra janë dorëzuar 800 ankesa për rreth 550 aktivitete të prokurimit. Vlera e parashikuar apo buxheti i paraparë për këta aktivitete të prokurimit është së paku 200 milionë euro. Mirëpo, Çka nënkupton kjo?

Çdo institucion para se të publikojë një aktivitet të prokurimit i zoton mjetet financiare. Kjo nënkupton që këto mjete mbahen të “bllokuara” në Sistemin e Informacionit për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK).

Këto mjete nuk mund të shfrytëzohen për aktivitet të prokurimit të tjerë përderisa nuk dihet se cili do të jetë rezultati final i ankesës në OSHP. Kjo situatë shkakton një dëm të dyfishtë në jetën e qytetarëve, pasi mjetet nuk mund të përdoren për aktivitetin prokurues që ka ankesë e as nuk mund të zotohen për aktivitete tjera.

Situata e bllokadës gati një vjeçare do të bëjë që institucionet e posaçërisht komunat e Kosovës të kenë nivel të ulët të realizimit të investimeve kapitale. Kur Kosova ka nevojë që të ketë investime të vazhdueshme në mënyrë që të përmirësohet jeta e qytetarëve dhe të ketë rritje ekonomike, shumë institucione do të jenë para situatës që nuk do të mund t’i shpenzojnë të gjitha mjetet e destinuara për investime kapitale dhe mallra e shërbime, e krejt kjo për shkak që nuk është zgjedhur bordi i OSHP-së.

Por, te komunat problem më i madh mbetet humbja e mundësisë për të përfituar mjete financiare përmes skemës të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dhënie të grante të performancës komunale. Një nga kriteret bazë është që ato të kenë shpenzuar së paku 75% të buxhetit për investime kapitale.

Duke marrë parasysh që shumë komuna kanë dështuar të arrijnë këtë prag edhe kur OSHP ishte funksionale për shkak të shqyrtimit të ankesave, tani që ankesat nuk kanë se si të shqyrtohen ky prag duket se do të jetë i pamundur të arrihet nga komunat. Në vlerësim të performancës kjo do të definohet si shpenzim i dobët i buxhetit dhe do të ndikojë që disa komuna të humbin grantin e performancës vetëm se ankesat e tyre OSHP nuk ka mundur ti shqyrtoj.

Një problem tjetër është mos buxhetimi i aktiviteteve të prokurimit e që kanë ankesë në OSHP. Ka shumë mundësi që si shkak i vonesave, në vitet e ardhshme institucionet të ndryshojnë prioritetet e tyre gjatë procesit të hartimit të Buxhetit. Kjo më shumë mund të shprehet në komuna, ku një projekt i vitit 2021 i cili është pezulluar si rezultat i ankesës së pashqyrtuar në OSHP, mund të mos futet në Buxhetin e vitit 2022. Kur merren parasysh Zgjedhjet Lokale të vitit 2021 dhe ndërrimi i pushtetit në disa komuna, ka shumë mundësi që shumë aktivitete të prokurimit që kanë mbetur të pezulluara në OSHP të mos mund të zbatohen për shkak se mjetet buxhetore në vitin 2022 nuk ekzistojnë apo janë ridestinuar.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar në dy raste që të zgjedhë anëtarët e rinj të OSHP-së. Në tentimin e parë nuk ka pasur kuorum, ndërsa në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2021, Kuvendi ka votuar kundër personave të propozuar.

Në dhjetor 2021, Qeveria e Kosovës hapi prapë konkursin për aplikim për anëtar dhe kryetar të bordit. Kane kaluar gjashte muaj nga ajo kohe dhe ende nuk janë votuar anëtarët e bordit te OSHP-se. Deri në votimin e tyre (pa llogaritur vonesat tjera si p.sh. mungesa e kuorumit) do të kalojë më shumë se një vit nga skadimi i mandatit të bordit të kaluar.

Duke marrë parasysh që nuk është hera e parë që OSHP ka mbetur pa bord e ku një situatë e njëjtë ka ndodhur në vitin 2013) një zgjidhje e thjeshtë e këtij problemi në mënyrë që mos të ndodhë në të ardhmen, është nëse aprovohet Ligji i ri për Prokurim Publik.

Në ligjin e ri duhet te propozohet që kur të përfundojë mandati i anëtarëve të bordit, ata të mund të ushtrojnë detyrën deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj. Kështu do të sigurohej rrjedhë normale që të gjitha ankesat të mund të shqyrtohen dhe të mos ketë bllokada të tilla. Impakti do të ishte shumë i madh në mosbllokimin e investimeve e ku qytetarët e Kosovës të mund të gëzojnë shërbimet publike në kohën kur ato janë paraparë të ndodhin.