Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë që ky post në Kosovë ka mjaft sfida, derisa ka theksuar që ai i do sfidat.
Peci, në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë që mikpritja e fermerëve që i viziton i jep atij motiv shtesë për t’u angazhuar edhe më shumë.
“Është vështirë me gjetë fjalë me e përshkru se sa mirë ndjehen fermerët kur ministri u shkon derë më derë për t’i vizituar. Mikpritja e fermerëve që po hasi në të gjithë territorin e Kosovës, po më bën që të mos qëndroj indiferent dhe me qenë i angazhuar 24 orë të ditës, ose gjatë gjithë javës, pasi as në vikende nuk po pushoj. Kjo për dy arsye – për shkak të motivit dhe interesimit që kam për punën, por edhe për shkak të motivit që po e gjej te fermerët”.
“Ka edhe fermerë të tillë që më kanë thënë: “Ministër, këtë vit largom nga programi i subvencioneve vetëm pse më ke përzgjedh mem vizitu dhe m’i pa nga afër edhe sfidat që ne përballemi”, tha ai.
Tutje Peci ka treguar edhe pse është sfidues posti i një ministri në Kosovë.
“Është shumë sfidues. Në ditën e parë që kam marrë mandatin si ministër i Bujqësisë, i kam vendosur disa objektiva vetes; njëri prej tyre është që ditën kur s’do të jem ministër, ta kem ndërgjegjen e pastër që çdo ditë kam dhënë maksimumin e mundshëm me qenë në shërbim të institucioneve dhe qytetarëve”.
“Në natyrën time i dua sfidat dhe e kam parë që sektori i Bujqësisë është tejet sfidues, por njëkohësisht është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe e kam marrë përgjegjësinë me vetëdije të plotë që do të jetë shumë sfiduese”, tha ai.


