Kombëtarja e Kosovës sonte ballafaqohet me Irlandën e Veriut në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim nga ora 20:45, në kuadër të Ligës së Kombeve, grupi C.
“Dardanët” futen në këtë ballafaqim me shumë probleme, pasi disa nga lojtarët kyç janë dëmtuar dhe tashmë gjërat vështirësohen, kur fitorja na duhet më së shumti.
Në këtë ballafaqim do të vuajmë sërish në pjesën e mbrojtësit të majtë, pasi Fidan Aliti u ndëshkua me karton të kuq ndaj Greqisë dhe nuk do të mund të jetë në dispozicion të Alain Giresse sonte.
Benjamin Kololli ka pësuar një goditje të lehtë, e cila nuk është serioze, andaj mund të mos luajë nga minuta e parë sonte.
GazetaBlic Sport mëson se në rast se Kololli nuk luan nga minuta e parë, atëherë Donat Rrudhani mund të startojë si mbrojtës i majtë.
Rrudhani i cili ka marrë ftesën nga kombëtarja A e Kosovës për herë të parë – mund të debutojë sonte me “Dardanët”. Pozicioni i tij real është mesfushor i majtë – ose mesfushor prapa sulmuesve, por duke marrë parasysh që luan me këmbën dhe ka aftësi defansive – ai mund të jetë “eksperimenti” i Giresse në pozitën e mbrojtësit anësor.
Kujtojmë se edhe Emir Sahiti pritet të debutojë sonte nga minuta e parë.


