Lajme

Muhaxhiri për “Ballkanin e Hapur”: Nëse Kosova mbetet jashtë marrëveshjeve rajonale, vendi izolohet edhe më shumë

06/09/2022 08:53
nga:Q R

Analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë se përkrahja amerikane dhe europiane ndaj ‘Ballkanit të Hapur’ i zhvlerëson argumentet kundërshtuese të Kosovës. Sipas tij, lidershipi në vend po e refuzon këtë nismë duke u bazuar në teori konspiracioni.

Këto komente Muhaxhiri i bëri në një prononcim për Gazeten Blic pas takimit të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.

“Ekziston pajtueshmëri e plotë e akterëve relevantë, veçanërisht SHBA-ve dhe BE-së, që Ballkani i Hapur assesi nuk guxon të konsiderohet si zëvendësim i projekteve ekzistuese – Dialogut në Bruksel dhe Procesit të Berlinit, por si iniciativë ndihmuese dhe përplotësuese e tyre. Përkrahja e fuqishme amerikane dhe europiane ndaj Ballkanit të Hapur është duke i zhvlerësuar argumentet kundërshtuese të instutucioneve të Kosovës. Situata ka filluar të bëhet paradoksale”, thotë ai.

Tutje, Muhaxhiri vlerëson se në rast se kjo nismë do të jetësohet dhe Kosova të mbetet jashtë marrëveshjeve rajonale, kjo do të dërgoj vendin në izolim më të madh.

“Përderisa përfaqësuesit e Washingtonit dhe Brukselit qartësisht e inkurajojnë këtë proces si shans për zgjidhje problemesh të kategorive të caktuara sistemore dhe avancim të agjendave europiane, refuzimi i lidershipit kosovar kryesisht bëhet duke përdorur teori konspiracioni, qëndrime paragjykuese dhe retorikë populiste. Nëse Kosova mbetet jashtë marrëveshjeve ekonomike rajonale, lehtësimeve për lëvizje të qytetarëve dhe mundësive zhvillimore për bizneset, kjo do të ndikojë në izolim edhe më të madh në të ardhmen”, vlerëson Muhaxhiri.

Në takimin e Ohrit të pranishëm ishin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija.

Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia të mërkurën nënshkruan katër marrëveshje bashkëpunimi – për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.

Duke folur përmes video-lidhjes i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA-ja mbështet iniciativën e “Ballkanit të Hapur”.

Edhe pse kishte ftesë për pjesëmarrje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzoi këtë takim pasi tha se Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.

Kurti tha se “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019. Ata thanë se ka për qëllim krijimin e një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

“Ballkani i Hapur”, analistët tregojnë se cili duhet të jetë pozicioni i Kosovës