Lajme

“Ballkani i Hapur”, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon pse ndryshoi qëndrim Mali i Zi dhe a duhet t’i bashkohet Kosova

06/08/2022 20:14
nga:G B

Katër marrëveshje të reja janë arritur në kuadër të takimit të radhës të nismës ‘Open Ballkan’, të mbajtur në Ohër dje e sot.

Në këtë takim e pranishme nuk ishte vetëm Kosova, e cila vazhdon ta kundërshtojë këtë iniciativë, që nga formimi i saj.

Këtë herë i pranishëm ishte edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili është shprehur pro kësaj nisme, derisa Mali i Zi më herët kishte qenë kundër, megjithëse ende nuk i është bashkuar ende zyrtarisht, pavarësisht se kështu deklaroi kryeministri shqiptar Edi Rama.

“Nuk po shkojmë në Ohër për t’iu bashkëngjitur ‘Ballkanit të Hapur’, por për të shprehur, së bashku me partnerët e BE-së dhe aleatët e NATO-s, qëndrimin ndaj një nisme rajonale, në mënyrë që në fund të fundit të kemi më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim të mirë”, tha Abazoviq përmes një postimi në Telegram.

Lidhur me këtë dhe kundërshtimin e Kosovës, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka thënë për Gazeta Blic, se kjo nismë është nga Procesit të Berlinit, derisa shton se për këtë çështje ka kundërshtime në Malin e Zi, në mes të kryeministrit dhe presidentit.

“Pjesëmarrja e Malit të Zi në këtë nismë ‘Ballkani i Hapur’ vjen si rezultat që Serbia ka ndaluar me ndërhyrjet flagrante dhe fushatën e egër kundrejt kishës atje dhe duke mos kontestuar statusin shtetëror e territorial të saj nga ana e Serbisë. Çuditërisht, pjesëmarrja e kryeministrit aktual bie në kundërshtim me qëndrimin politik të presidentit të tij zotëri Gjukanoviç ashtu siç e shprehu në vizitën e tij zyrtare në Prishtinë, presidenti i Maqedonisë së Veriut zotëri Pendarovski, haptas dilemën e tij rreth kësaj nisme!. Kjo nismë, duhet kuptuar edhe si një goditje anësore ndaj ‘Procesit të Berlinit’, dhe një argument për të dëshmuar dështimin e UE-së, karshi Ballkanit perëndimor”, thekson Pula.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare është i mendimit se nuk duhet marrë pjesë në këtë nismë, derisa nuk respektohet shtetësia e Kosovës dhe nuk ekziston parimi i barazisë.

“Togfjalëshi ‘Ballkani i Hapur’ tashmë i shumë përsëritur, nga aktorët politikë kryesor të rajonit, ishin dhe mbeten të hutuar mbi nismën sikur një shfaqje teatrale kur aktorët e harrojnë tekstin, e si të tillë duke gjetur edhe kundërshtimin brenda-rajonal por edhe më tej nga zëra të ndryshëm në Evropë. Mbase me të drejtë, marrë parasysh faktin se brenda rajonit tonë nuk respektohen katër parimet substanciale të Unionit Evropian, sepse në vijimësi nga Serbia fqinje kontestohen statusi shtetëror, integriteti territorial, e drejta e qarkullimit të lirë të qytetarëve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve e të tjera aspekte në rajonin tonë. Atëherë, pse duhet marrë pjesë brenda një nisme ku nuk respektohen fqinjët dhe shtetësia e tyre, e ku përmes diplomacisë destruktive e politikës shoveniste pengon çdo nismë anëtarësimi të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Pra, pjesëmarrja në një nismë të tillë ku nuk ekziston parimi i barabarësisë atëherë krijohet pakuptimësia për një pjesëmarrje boshe. Për më tepër, krijon mundësinë e pastrimit të së kaluarës të figurës Vuçiç”, deklaron Shqiprim Pula./Gazeta Blic/