Lajme

Smajl Latifi flet për dëmet nga stuhia në Komunën e Rahovecit, jep paralajmërimin nëse vazhdojnë reshjet e breshërit

06/08/2022 18:58
nga:G B

Moti në vendin tonë ka pësuar ndryshime të shumta ditëve të fundit, derisa janë shkarkuar shumë rrufe dhe ka pasur reshje të shumta shiu e breshëri.

Ky i fundit ka shkaktuar dëme në bujqësi në disa komuna.

Fatmirësisht, në Komunën e Rahovecit nuk ka pasur reshje të breshërit, por shiu ka shkaktuar pak dëme, të disa serrave.

Mirëpo, në këtë komunë të hënën ka humbur jetën një shtetas turk, pasi u godit nga rrufeja, ndërsa një tjetër mori lëndime dhe u dërgua në spital.

Për situatën e reshjeve dhe dëmet në bujqësi, për Gazeta Blic ka folur kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Ai ka thënë se nuk ka pasur breshër në Rahovec dhe se ka pasur disa dëme të vogla në bujqësi, por përmend rastin e vdekjes nga rrufeja të një shtetasi turk në këtë komunë, dy ditë më parë.

“Deri më tani ne nuk kemi pasur probleme të dëmeve nga breshëri ose nga stuhitë ose nga shtrëngatat në bujqësi. Ka pasur aty këtu ndonjë serrë që është dëmtuar nga pak por breshër nuk kemi pasur. Në qoftë se flasim për stuhinë e para dy ditëve ku patëm një vdekje të një shtetasi turk që humbi jetën nga goditja e rrufesë dhe një tjetër është lënduar por fatmirësisht është jashtë rrezikut. Ne kemi pasur disa drunj dekorues që janë thyer, pasi stuhia ishte jo e vogël dhe kemi pasur edhe disa dëme të vogla në serra ku janë hequr mbulojat e tyre por breshër nuk kemi pasur dhe shpresojmë që nuk do të kemi as në ditëve në vijim, pasi nëse do të ketë breshër, pasoja do të jenë tejet të mëdha”, u shpreh Latifi.

Ai për Gazeta Blic tha se uron që Kosova ta kalojë këtë stuhi pa dëme dhe paralajmëroi se nëse do të ketë stuhi e breshër, dëmet do të jenë të jashtëzakonshme.

“Uroj që Kosova ta kalojë këtë stuhi ose reshjet e dendura të shiut, shpresoj të mos ketë breshër në asnjë komunë të Kosovës dhe po shpresoj që të mos ketë breshër pasi nëse do të ketë, pasojat në kulturat perimtare dhe vreshtare që janë në zhvillim të hovshëm, do të shkaktonin dëme të jashtëzakonshme”, tha kryetari i Rahovecit, Smajl latifi./Gazeta Blic/