Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, është shprehur sërish për vendimin e institucioneve të Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe, të cilat u zhvilluan më 3 prill.
Borell deklaroi se Bashkimi Evropian “beson se vendimi i Prishtinës për të mos lejuar zgjedhjet serbe në Kosovë është në kundërshtim me përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe parimit të mbrojtjes së të drejtave demokratike të qytetarëve të saj, përfshirë komunitetet pakicë ”.
Kështu deklaroi ai, në një përgjigje me shkrim në pyetjen e deputetit francez të Parlamentit Evropian, Jean-Paul Garraud.
Borell theksoi se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk ishte dakorduar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, por përkujtoi se deri më tani ekzistonte një praktikë që mundësonte votimin në Kosovë, me mbështetjen e OSBE-së dhe BE-së.
Ky ishte opsioni më i realizueshëm për zgjedhjet e mbajtura më 3 prill 2022, theksoi ai.
“BE-ja në mënyrë aktive mbështeti përpjekjet e bashkërenduara të bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje që do t’u mundësonte votuesve me të drejtë vote në Kosovë të ushtrojnë të drejtën demokratike dhe të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi më 3 prill dhe shpreh keqardhje që nuk u arrit konsensus”, theksoi Borell.
Vendet e Quint-it dhe BE-ja e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës për këtë referendum.


