Lajme

Lushi: Kosova s’mund të marrë pjesë në “Open Balkan” kur nuk është e barabartë me të tjerët

06/08/2022 00:58
nga:Astrit Gashi

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut, po mbahet Samiti i “Ballkanit të Hapur”.

Në këtë samit mungon Kosova, e cila e ka refuzuar këtë iniciativë.

Publicisti shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Uk Lushi, tha në një intervistë për Klan Kosova se vendi nuk mund të marrë pjesë në këtë iniciativë kur i ka të mbyllura dyert nga Serbia.

“Nuk mundet Kosova me dyert e mbyllura nga Serbia të shkojë në një iniciativë dhe të pretendojë që Ballkani është i hapur “- tha Lushi.

Lushi tha se Kosova nuk njihet si shtet nga ana e Serbisë andaj s’mund të jetë e barabartë në “Open Balkan”.

“Kosova nuk është e njohur nga Serbia dhe ajo nuk mund të njihet si e barabartë me të tjerët. Ky është edhe problemi kryesor i këtij “Ballkani të Hapur”, për arsye se “Ballkani i Hapur” do të ndodhë kur të hapen të gjitha dyert e Ballkanit”, tha ai.

“Kosova nuk e dërguar askend për arsye se çështja e “Ballkanit të Hapur” duhet të niset nga barazia e të gjitha shteteve të Ballkanit, përfshirë Kosovën”.

Në këtë samit pritet të nënshkruhet disa memorandume të bashkëpunimit në mes të tri shteteve: Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Derisa Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, kanë marrë pjesë vetëm si shtete vëzhguese.