Lajme

Gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të policisë, dështon të nis gjykimi ndaj Sveçlës

06/06/2022 12:52
nga:N M

Sërish dështon të nis gjykimi ndaj ministrit Sveçla dhe 12 të tjerëve, të akuzuar për veprime të dhunshme në protestën e 2013-ës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën ka dështuar përsëri të nis gjykimi në rastin ku ministri Xhelal Sveçla së bashku me 12 të tjerë, akuzohen se në qershor të vitit 2013 kishin hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ku ishin lënduar lehtë katër policë.

Shtyrjen e kësaj seance e ka kërkuar i akuzuari Egzon Azemi, pasi që sipas tij është një kohë shumë e shkurtë prej se i njëjti është pajisur me shkresa të lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë e kundërshtoj zhvillimin e kësaj seance, për arsye se siç e ceka edhe me herët kemi që një vit që kemi kërkuar të kemi qasje në prova dhe një gjë e tillë na është pamundësuar deri të premten e kaluar, si rrjedhojë nuk mund të zhvillohet një proces në të cilin të akuzuarit nuk kanë qasje në akuzën e plotë sepse siç mund ta verifikoni nga të gjithë të pranishmit, jam i vetmi që kam arritur ta sigurojë këtë lëndë pas kërkesave të shumta njëvjeçare”, tha i akuzuari Azemi.

Ai shtoi se është kohë e gjatë që kanë kërkuar, por kohë e shkurtë që i kanë pranuar shkresat, andaj i njëjti propozo që seanca të shtyhet për një ditë tjetër.

Në këtë seancë munguan shtatë prej të akuzuarve në këtë rast, Dardan Molliqaj, Agron Kabashi, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Sami Avdiu, Afrim Hoxha dhe Bekim Shkodra, por gjykatësi Eroll Gashi i ka njoftuar të pranishmit se mund të vazhdojë seancën duke bërë veçimin e procedurës ndaj tyre.

Mirëpo, lidhur me këtë i akuzuari Azemi tha se meqenëse akuza është e përbashkët për të gjithë të akuzuarit si grup, edhe gjykimi sipas tij duhet të vazhdojë si grup.

“Dhe arsyeja e dytë është sepse ajo ditë kur ne të gjithë jemi arrestuar nuk ka qenë në mënyrë individuale, meqenëse ka qene një protestë e organizuar për arsye të përgjithshme edhe akuzën deri tash e kemi pasur si grup dhe mendoj se ashtu duhet të vazhdojë si grup, me përjashtim të Besnik Qelaj, për shkak të rrethanave tjera në të cilat gjendet”, tha i akuzuari Azemi.

Propozimin e Azemit që kjo seancë të shtyhet dhe gjykimi të vazhdojë si grup i përbashkët, e kanë mbështetur edhe të akuzuarit Xhelal Sveçla, Pajtim Havolli, Pajtim Demaj, Arsim Maqastena dhe Besnik Qelaj, të cilin më pas e ka aprovuar gjykatësi Gashi.

Edhe të akuzuarit Sveçla, Havolli dhe Demaj, deklaruan se nuk janë pajisur me shkresa të lëndës.

Lidhur me këtë, prokurori Besart Mustafa deklaroi se prokuroria i ka njoftuar të gjithë të pandehurit se mund të pajisen me të gjitha shkresat e lëndës, mirëpo tha se për disa prej tyre ende nuk janë kthyer fletëkthesat e njoftimeve.

Në këtë seancë, me shkresa të lëndës prokurori Mustafa e ka pajisur të akuzuarin Qelaj, pasi që i njëjti është në vuajte të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, për një çështje tjetër penale.

Kurse, lidhur me mungesën e të akuzuarit Molliqaj, Kabashi dhe Avdiu, gjykatësi Gashi deklaroi se për të njëjtit mungon fletëdërgesa për të konstatuar nëse ata janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndërsa, për të akuzuarin Krasniqi, gjykatësi Gashi tha se gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, por sipas tij deri më tani gjykata nuk ka ndonjë njoftim nga ana e policisë për zbatimin e kësaj urdhërese.

Për të akuzuarin Shkodra, gjykatësi Gashi ka thënë se në bazë të fletëdërgesës së 19 majit 2022, rezulton pala e panjohur.

Ndërkaq sa i përket mungesës së të akuzuarit Hoxha, gjykatësi Gashi bëri të ditur se nga fletëdorëzimi personal i 23 majit 2022, është konstatuar “pasi që pala nuk gjendet në shtëpi, thirrjen e pranon gruaja”, në të cilën nuk është përmendur as emri e as mbiemri i personit i cili e ka pranuar.

Në këto rrethana, seanca e shqyrtimit fillestar është shtyrë, kurse ajo e radhës u caktua më 1 gusht 2022.

Ndryshe, edhe seancat e caktuara më 10 gusht 2021 dhe ajo e 3 shkurtit 2022, kishin dështuar të mbaheshin në mungesë të disa prej të akuzuarve.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur në mars të vitit 2014, rezulton se të akuzuar për këtë vepër penale krahas ministri Sveçla janë edhe Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj.

Ata po akuzohen se në protestën e organizuar më 27 qershor 2013, kundër ratifikimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera qelqi, shishe e mjete piroteknike kundrejt disa zyrtarëve policorë, ku si pasojë lëndime të lehta kanë pësuar katër policë dhe janë dëmtuar katër vetura zyrtare.

I akuzuari Bekim Shkodra po akuzohet edhe për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 mars 2014, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj po akuzohen se më 27 qershor 2013 në rrugën “Nëna Terezë” në Prishtinë, gjatë protestës me qëllim të dëmtimit të personave zyrtarë-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë kryer veprime të dhunshme huligane.

Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, Sveçla dhe të akuzuarit e tjerë ngarkohen se gjatë kësaj proteste kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ku si pasojë e këtyre veprimeve, lëndime të lehta trupore kanë pësuar policët-të dëmtuarit Rifat Geci, Halil Syla, Agim Xheli dhe Bashkim Hyseni.

Sipas prokurorisë, gjatë kësaj proteste janë shkaktuar edhe dëme materiale ku janë dëmtuar uniformat dhe pajisjet zyrtare të zyrtarëve policorë gjatë ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike e po ashtu i kanë dëmtuar dy vetura, pronë e Qeverisë së Kosovës dhe dy vetura pronë të Policisë së Kosovës, duke shkaktuar kështu pasoja të rënda.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal, vepër kjo për të cilën dënimi parashihet me dënimi me gjobë prej 200 deri 10 mijë euro për huliganizëm me pasoja të vogla ose me burgim deri në pesë 5 vjet burgim për huliganizëm me pasoja të rënda.

Ndërsa dispozitivi i dytë i kësaj aktakuze, Bekim Shkodrën e ngarkon edhe për veprën penale të “Sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo për të cilën kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet./BetimipërDrejtësi