Sporti

Kosova nuk ia del ndaj Greqisë, mposhtemi në ‘Fadil Vokrri’

06/05/2022 22:39
nga:Lorik J

Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në ndeshjen e sotme të Ligës së Kombeve ndaj Greqisë.

Kosova humbi ndaj Greqisë me rezultatin minimal 0-1, shkruan GazetaBlic Sport.

‘Dardanët’ e nisën mirë ndeshjen dhe kishim raste me Zenelin dhe Zhegrovën, por në gabimin e parë u ndëshkuam me gol, pasi Bakasetas shënoi nga distanca në portën e Aro Muric në minutën e 35’të të sfidës.

Në pjesën e dytë, Kosova sërish e nisi mirë dhe tentoi me Zhegrovën, Vedat Muriqin dhe Milot Rashicën, por goditjet nuk ishin të sakta.

Kosova mori një goditje në minutën e 74’të të sfidës, kur mbrojtësi i kombëtares tonë, Fidan Aliti u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe vështirësoi tej mase punët.

Në minutat e fundit edhe Aro Muric u ndëshkua me karton të kuq – pasi preki topin me dorë jashtë zonës së tij.

Deri në fund, Greqia ka ruajtur rezultatin dhe mori tre pikët në stadiumin Fadil Vokrri.

Greqia tani ndodhet në vendin e parë në grup me 6 pikë, teksa Kosova në vendin e dytë me 3 pikë pas dy takimeve.

/GazetaBlic Sport