Lajme

Kurti në Bratislavë: Më shumë po ofendohemi që Serbia nuk po i njeh krimet, se sa që nuk po na njeh neve

06/03/2022 15:39
nga:Astrit Gashi

Kryeministri Albin Kurti ka thënë në Formunin e Bratislavës “Globsec 2022” që Kosova është më e ofenduar që Serbia po i mohon krimet në të kaluarën se sa mosnjohjen nga ky shtet.

“Në procesin e bisedimeve me Serbinë nën ombrellën e Brukselit kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ që kemi nevojë për dialog që do të jetë parimor midis palëve të barabarta për një marrëveshje ligjërisht detyruese për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë të përqendruar te njohja e ndërsjellë”, ka thënë Kurti në “Globsec”.

“Është fatkeqësisht Serbia që po thotë se nuk do të na njohë kurrë dhe përtej kësaj, as nuk i njohin krimet e tyre në të kaluarën. Që të jem i sinqertë, kjo e dyta na ofendon shumë më shumë se ajo e para”.

Kurti tha se 19 shtete demokratike të NATO-s e kishin bombarduar një vend në Evropë për ta ndalë gjenocidin e Serbisë në Kosovë, andaj e sheh shumë problematike që Serbia nuk i pranon krimet e saj.

“Këtu e shoh thelbin e problemit. Mohimin e krimeve të së kaluarës, krimeve të luftës, gjenocidit e kështu me radhë”.

“Megjithatë po përpiqemi shumë në Bruksel bashkë me z, Lajçak që të arrijmë marrëveshje kur bëhet fjalë për tabela automjetesh me parimi e reciprocitetit sa i përket energjisë elektrike në veri, sepse energjia nuk paguhet atje nga serbët për shkak të strukturave ilegale, jo për shkak të qytetarëve”.

“Pastaj zhdukjes me forcë të njerëzve. Kemi një mijë e 600 persona të pagjetur”.

“Megjithatë Kosova është tregim i suksesshëm i luftës çlirimtare të popullit dhe punës së madhe që është bërë me njërën anë, por po ashtu ndihmës nga BE dhe ShBA-ja. Jemi shumë mirënjohës që Perëndimi demokratik na ka ofruar gjithë këtë mbështetje për gjithë këto vite”.

Kurti i numëroi sukseset e Kosovës duke folur për rritjen e Kosovës në ekonomi, inkasimin e tatimeve, rritjen e lirisë së shtypit, bashkërendimin me BE-në në dënimin e luftës në Ukrainë e me radhë.

“Neve na duhet ndihma nga Be-ja dhe e konsiderojmë që Bashkimi Evropian është procesi më i rëndësishëm historik dhe projekti politik i prosperitetit dhe paqes që nga Lufta e Dytë Botërore që duhet ta ruajmë dhe zhvillojmë”.