Lajme

Organizatori i protestave për tërheqjen e parave nga Trusti: Kurti po i kërcënon deputetët e VV-së

05/31/2022 12:09
nga:Astrit Gashi

Sipas organizatorit të protestave për tërheqjen e një pjese të Trustit, Adnan Jashari, kryeministri Albin Kurti i ka kërcënuar deputetët e VV-së me përjashtim nga partia nëse votojnë pro projektligjit që lejon tërheqjen e tij.

Në një postim në grupin në Facebook “Pro tërheqjes 30% të Trustit”, Jashari thotë se deputetët duhet të votojnë pro popullit e jo pro liderit e kundër popullit.

Postimi i plotë:

Te nderuar anëtarë, ne kemi kontaktuar deputetë nga të gjitha partitë politike, jemi të shqetësuar me faktin se deputetët e LVV-se kanë deklaruar se nuk guxojnë me votu Projektligjin për Trustin sepse Albin Kurti i ka kërcënuar me përjashtim nga partia për ata qe e votojnë kërkesën tonë për tërheqjen e deri 30% të Trustit.

Deputetët janë të zgjedhur nga populli dhe duhet të votojnë pro popullit e jo pro liderit kundër popullit.