Lajme

Zyrtari i lartë ukrainas paralajmëron: Nëse SHBA nuk na dërgon artileri, fitorja kundër Rusisë është e pamundur

05/31/2022 10:49
nga:Astrit Gashi

Një fitore ushtarake kundër Rusisë është “e pamundur” nëse SHBA-ja pezullon furnizimin e Ukrainës me artileri me rreze të gjatë veprimi, tha për CNN zyrtari i lartë ukrainas Alexei Arestovich, përcjellë Gazeta Blic.

Arestovich, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i tha televizionit amerikan se këto armë janë “thelbësore për fatin e Ukrainës dhe pavarësinë e saj”.

Zyrtarët amerikanë thanë javën e kaluar se po shqyrtonin kërkesën e Ukrainës për dërgimin e sistemeve raketore MLRS, të cilat mund të godasin objektivat në një distancë deri në 300 kilometra.

Arestovich deklaroi se edhe një numër i vogël i sistemeve të tilla të armëve, vetëm 20, do të mundësonte një kthesë në konfliktin me Rusinë, sepse kjo do t’u mundësonte trupave ukrainase të mbroheshin nga sulmet ruse artileri me rreze të gjatë veprimi.

Armatosja e Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi i ka shkaktuar shqetësim në Perëndim se këto sisteme mund të përdoren për të sulmuar objektivat brenda territorit rus, gjë që mund të çojë në një përshkallëzim të konfliktit.

Duke pranuar këto shqetësime, Arestovich theksoi për CNN se Ukraina do të përdorë këto armë vetëm për të mbrojtur territorin e saj dhe jo për të sulmuar Rusinë.