Kosova po përgatitet për të aplikuar për anëtarësim në NATO dhe BE.
Kështu ka bërë të ditur dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ky aplikim do të vie pas aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Lidhur me këtë, analisti politik Gazmir Raci, ka thënë për Gazeta Blic se Kosova duhet ta shfrytëzojë situatën e re të krijuar nga lufta në Ukrainë, ku Kosova tashmë është rreshtuar me SHBA-të dhe BE-në.
“Kosova duhet të shfrytëzojë momentumin e ri të krijuar pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë dhe fillimit të luftës së paprovokuar atje. Tash jemi në rrethana të reja gjeopolitike andaj Kosova diti të rreshtohet menjëherë krah SHBA-ve dhe Evropës me rastin e vendosje së sanksioneve ndaj federatës ruse”, thotë ai.

Sipas Racit, anëtarësimi i shpejt në NATO është qenësor, ndërsa ai në BE e bën Kosovën anëtare të familjes evropiane.
“Për sigurinë e Kosovës është qenësore anëtarësimi i shpejt në NATO sepse siguria kolektive tashmë ka rëndësi jetike për të gjitha shtetet perëndimore. Po ashtu integrimi në BE e bën Kosovën pjesë zyrtare të familjes evropiane por natyrisht se ka ende punë në plotësimin e kritereve për tu bërë anëtare e BE-së”, thekson analisti për Gazeta Blic.
Raci shton se për këto duhet luftuar krimi dhe korrupsioni dhe ushtria të armatoset sipas nevojave e planit të NATO-s.
“Aleanca jonë strategjike euroatlantike duhet të fuqizohet, ushtria jonë duhet të armatoset konform nevojave dhe planit të dakorduar me NATO por edhe detyrat e shtëpisë duhet bërë në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe zhvillimit socio-ekonomik”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/


