Lajme

Kosova drejt NATO-s dhe BE-së/ Mundësitë për anëtarësim dhe rruga drejt liberalizimit të vizave

05/29/2022 14:54
nga:G B

Kosova së fundi ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

E, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se po përgatiten për të aplikuar për anëtarësim edhe në NATO dhe BE.

“Kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi ynë në KiE është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparoj më shumë në fushën e drejtësisë. Jemi duke i bërë përgatitjet për aplikim për anëtarësim në Partneritetin e Paqes në kuadër të NATO-s, e do të aplikojmë edhe për anëtarësim në BE”, deklaroi Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Derisa për anëtarësim në KiE Kosova nuk është në agjendë deri në maj të vitit 2023, nuk dihet se sa kohë do të duhet për anëtarësim në NATO dhe BE.

Lidhur me mundësinë për të aplikuar, anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, njëherësh deputeti i VV-së, Agon Batusha, ka thënë për Gazeta Blic se Kosova po ecë me hapa të shpejtë drejt proceseve integruese.

“Kosova është vendi më demokratik në Ballkan, këtë e dëshmojnë raportet apo matjet e njëpasnjëshme ndërkombëtare. Ne po ecim me hapa të shpejtë drejt proceseve integruese, por edhe në thellimin e demokracisë për së brendshmi. Natyrisht, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit është vlerësuar lart, por kemi ende punë për të bërë”, shprehet Batusha.

Ai thekson se për tu bërë pjesë e NATO-s kemi mbështetja nga partnerët tanë.

“Hapi i parë drejt NATO-s është Partneriteti për Paqe dhe për këtë kemi mbështetje të gjerë të partnerëve tanë”, potencon deputeti për Gazeta Blic.

Ndërkaq, aplikimin për anëtarësim në BE e sheh hap të natyrshëm, derisa vlerëson se Kosova është në rrugë të mirë edhe për liberalizim të vizave.

“Ndërsa për rrugën tonë drejt BE-së, ne vetëm kemi shtuar veprimet tona duke u bërë anëtar i asociuar në programet e BE-së, kemi zgjeruar pjesëmarrjen në programe të BE-së dhe jemi në rrugë të mirë për liberalizim të vizave. Andaj, hap i natyrshëm është aplikimi për tu bërë pjesë e BE-së”, tha deputeti Agon Batusha./Gazeta Blic/