Lajme

Kurti i pikëlluar për vdekjen e Nishanit: Dha mbështetje të pakursyer për Kosovën

05/28/2022 17:28
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, për çka ka thënë se është thellësisht i pikëlluar, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër, derisa ka shtuar se Nishani angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës dhe mbështeti Kosovën bashkatdhetarët tonë kudo.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër.

Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar.

Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo.

I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij.

Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë.