Sporti

Dardanët me mesazh motivues për Kosovën, premtojnë përkrahje të madhe

05/27/2022 13:48
nga:E K

Kosova luan ndeshjet e rradhës kualifikuese për “Euro 2024” në kuadër të Nations League.

Kombëtarja e Kosovës, do të luajë ndaj Qipros, Greqisë në Fadil Vokrri, Irlandës Veriore, dhe Greqisë në udhëtim, shkruan GazetaBlic Sport.

Para fillimit të ndeshjeve kualifikuese tifogrupi Dardanët kanë premtuar përkrahje të madhe për Kosovën.

“Me afrimin e ndeshjeve të kombëtares, fillon të ndjehet atmosfera dardane kudo. Tashmë i vetmi cak që duam nga kombëtarja jonë është sigurimi i kualifikimit në Euro 2024 përmes edicionit të sivjem të Ligës së Kombëve. Çdo cak tjetër është i pamjaftueshëm.

Dardanët do të jenë në përkrahje të plotë të ekipit tonë kombëtar në ndeshjet që do të luhen në qershor. Po ashtu ju njoftojmë se shumë shpejt do të dalin në shitje biletat, kurse ne si tifogrup posedojmë një sasi të tyre, e cila do të shpërndahet përmes koordinatorëve tanë nëpër qytete të ndryshme të vendit ku janë të pozicionuar ata.

Dhe, si përfundim, ju njoftojmë se në dy ndeshjet që do të luhen në stadiumin ”Fadil Vokrri”, ato përballë Greqisë më 5 qershor dhe Irlandës së Veriut më 9 qershor, ne do të rikthehemi te tribunën që na takon, në veri të stadiumit, ku nuk do të mungojnë edhe koreografitë, si dhe atmosfera e ngrohtë si zakonisht.

Të gjithë shkojnë e vijnë, Dardanët do të mbesin përherë lojtari i 12-të, ai besnik i Kosovës.

Përpara bijtë e Dardanisë!“, kanë shkruar Dardanët në Facebook.