I akuzuari Izet Uskoviq gjatë dhënies së mbrojtjes ka thënë se ka pranuar ryshfet nga komandanti i tij Rade Radosavljeviq pasi që ishte i frikësuar nga ai se do ia ndërronte vendin e punës dhe do e maltretonte.
Këtë deklarim i akuzuari ka bërë në fund të dhënies së mbrojtjes së tij të enjten në gjykimin ku ai së bashku me Ana Vasoviq-Baraq dhe Veroljub Dimitirjeviq po akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe për marrje ryshfet, raporton “Betimi për Drejtësi”
“Unë e kam marrë atë ryshfet, ndihem fajtor për këtë, nuk është ky ndonjë arsyetim, nuk e di se siç e kam thënë më herët kemi pasur frikë nga komandiri që do të na ndërroj vendin dhe të më malltretoj pas gjashtë viteve që jam kthyer. Kom gabu”, tha ai.
Ai gjithashtu ka shtuar se i tërë rasti nuk ka të bëjë me krim të organizuar ashtu siç i ngarkon prokuroria pasi që sipas tij ai nuk ka punuar me dy të akuzuarit e tjerë në këtë rast.
Ndryshe, në seancën e 27 dhe 28 prillit, dy të akuzuarit Vasoviq-Baraq dhe Dimitrijeviq kishin dhënë mbrojtjen e tyre.
Paraprakisht, i akuzuari Uskoviq ka deklaruar se në Policinë e Kosovës ka punuar qysh nga viti 2002 gjer në vitin 2008 kur ishte suspenduar për shkak të një gabimi të përdorimit dhe mbajtjes së armës zyrtare.
Gjatë kohës sa kishte qenë i suspenduar, i akuzuari Uskoviq tha se kishte punuar edhe si kamionist në firmën e cila tha se fillimisht kishte qenë në emër të tije pastaj në të babait.
Pas kthimit në punë përmes mjeteve gjyqësore në vitin 2014, Uskoviq tha se ka punuar në si polic patrullues në Stacionin Policor të Leposaviqit deri në ditën e arrestimit.
Ndërsa për rreth një – dy muaj ai tha se kishte qenë edhe zëvendës i shefit të ndërrimit.
Në pyetjen e avokatit Asllani ”Ju në prokurori keni deklaruar edhe në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues se në disa raste keni pranuar dhurata ose shpërblim prej komandantit të stacionit. A mund të na tregoni sa ka qenë vlera e këtyre shpërblimeve dhe për çfarë periudhe ka zgjat?”, i akuzuari u përgjigj ’”Ka qenë ndonjëherë jo shpesh por 20-30 euro. Ato mi ka dhënë komandanti Rade Radosavljevic”.
Shuma totale, sipas të akuzuarit Uskoviq, që ai kishte marrë nga komandanti i stacionit, Rade Radosavljevic për atë 1-2 muaj, tha se kishte qenë rreth 100-150 euro.
Mirëpo, lidhur me arsyen e dhënies së këtyre parave ai tha se nuk e kishin pyetur komandantin, pasi që sipas tij, ajo ka qenë e kuptueshme.
“Kjo do të thotë se nuk e kemi pyetur shumë, por ka qenë si urdhëresë, siç kam thënë ne kemi pasur një frikë prej tij”, tha ai.
Ai mohoi të ketë punuar ndonjëherë në të njëjtin ndërrim me të akuzuarën Vasoviq-Baraq ndërsa me të akuzuarin Dimitirjeviq, ai tha se në vitin 2014 kishte punuar vetëm në një periudhë shumë të shkurtër me të.
Lidhur me telefonat me të cilët kishin komunikuar me operativën ai tha se kishin qenë privat pasi që nuk kishin lidhje zyrtare,
Në atë telefoni akuzuari Uskoviq tha se e thërrisnin palët në telefon me të cilët ka kontaktuar për çështje të biznesit që kishte si shpedicion.
Ndërsa për shumën prej 1900 eurove e cila përmendet në shkresa të lëndës, i akuzuari Uskloviq tha se i ka dorëzuar mbrojtësit të tij dokumentacionin se për çfarë bëhej fjalë.
“Aty ka qenë marrëveshja sa kushton një transport dhe kam dorëzuar njëjtë edhe urdhëresën të cilën më ka dhënë shpedicioi i Prishtinës për transport dhe shifra ka qenë 1900 euro, ashtu edhe ceket në urdhëresë. Ka qenë një mall që në dokumentacion evidentohet se çfarë malli ka qenë”, tha i akuzuari Uskoviq.
E këtë dokumentacion, avokati Asllani më pas ia ka dorëzuar trupit gjykues me të cilat sipas tij vërtetohet se i akuzuari shumën prej 1900 euro e ka diskutuar rreth një shpedicioni.
Kur ishte radha e marrjes në pyetje nga prokurori Burim Cerkini, i njëjti ka thënë se nuk ka pyetje për të akuzuarin Uskoviq pasi që sipas tij, Uskoviq ka pasur cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues dhe se sot mbetet pranë asaj deklarate.
Gjatë përgjigjeve në pyetjet e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Albina Shabani-Rama, i akuzuari Uskoviq tha se Radosavlejiv i kishte dhënë urdhër shefit të ndërrimit që policët patrullues të ndërronin pikën e kontrollit në mënyrë që të kalonin kontrbanaduesit e mallrave.”
“Unë edhe në deklaratë e kam cekur që ka pasur mundësi të na zhvendosi nga një zonë në tjetrën, kështu që do ti kryenim shërbim atij që ti kryj ato çka duhet si duhet. Unë e kam ndërruar pikën e kontrollit që të mund të hyjnë kamionët. Aj këtë urdhër ja ka dhënë shefit të ndërrimit apo udhëheqësit të patrollës që ka qenë atë natë”, tha ai.
“Do të thotë të gjithë keni qenë të vetëdijshëm që jeni tu punu në këtë mënyrë? Aj e ka dhënë si urdhër që në zonën tjetër ka një veturë të dyshimtë dhe një paralajmërim që ka kontrabandim tjetër për të zhvendosur vëmendjen në tjetër zonë për të realizuar qëllimet e tij”, pyeti gjykatësja Shabani-Rama.
“Zona jonë e përgjegjësisë është e madhe dhe ato pika kalimtare nuk janë të dukshme, dhe neve na duhet shumë për të shkuar nga një vend në tjetrën. Shefi na ka thonë ka thirr komandanti i stacioni dhe ka thonë shkoni në anën tjetër se ka ndonjë veturë tjetër të dyshimtë në lëvizje”, tha ai.
Kjo metodë sipas të akuzuarit kishte ndodhur edhe me ekipet tjera të ndërrimit, ndërsa për para nëse edhe të tjerët kishin marrë ai tha se personalisht nuk e kishte parë por se ishte biseduar që po.
Seanca e radhës ku pritet të jepet fjala përfundimtare është caktuat për 24 qershor 2022 në orën 13:00.
Ndryshe, në këtë rast akuzoheshin edhe Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq, por pas dëgjimit të tyre në cilësi të dëshmitarëve bashkëpunues, për ta ishte veçuar procedura penale dhe më 15 mars 2021, të njëjtit ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar me 1 mijë euro gjobë për kontrabandim me migrantë, ndërsa ishin liruar për veprën penale “dhënia e ryshfetit”.
Sipas aktakuzës së ngritur më 23 prill 2020 nga PSRK-ja Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq akuzohen se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosaljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror, kishin marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.
Sipas PSRK-së, të akuzuarit kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm dhe atë si mallra ushqimore, transportin e drunjve, barnave dhe derivateve nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale.
Prokuroria pretendon se tre të akuzuarit, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare, duke mbikëqyrë rrugët e brezit kufitar në fshatrat Mure, Sharpel dhe Tresava, dhe duke bashkëpunuar edhe me të pandehurit Aleksandër Dimitrijeviq, Darko Saviq dhe persona të tjerë, si transportues të mallrave, ku nga të njëjtit për kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave, sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 euro për çdo kamion.
Sipas PSRK-së, një pjesë të këtyre parave ata e kanë marrë për vete, një pjesë e parave ka shkuar për udhëheqësin e grupit-komandantin e stacionit, tani të pandehurin Rade Radosavljeviq, ku kanë pas obligim që secili ndërrim të paguajë dhe atë në baza mujore shumën prej 700 euro, ndërsa pjesa tjetër është ndarë tek policët e ndërrimit, e që këtë shumë të parave e kanë marrë direkt nga ana e kontrabanduesve apo edhe në vende të caktuara ku ata janë udhëzuar që t’i lënë, si tek pompa e derivateve “Çekalic”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki.
Me këtë rast, sipas aktakuzës, ata kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.
E akuzuara Ana Vasoviq-Baraq akuzohet se duke vepruar si anëtare e grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, saktësisht udhëheqëse e ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale, duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që dhe pas komunikimit dhe marrëveshjes me ta ka dhënë udhëzimet për kohën dhe vendin ku duhet të kalojnë dhe nga ta ka pranuar shuma të ndryshme të parave, qoftë personalisht apo në vende të caktuara, ku një pjesë e ka mbajtur për vete dhe pjesën tjetër për komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavjleviq.
I akuzuari Veroljub Dimitrijeviq akuzohet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, polic patrullues në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që ka zbatuar udhëzimet e shefave të ndërrimit dhe komandantit të stacionit dhe pas komunikimit me të njëjtët, i ka udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohe të kalojnë, ku nga ta ka marrë shuma të ndryshme të parave dhe një pjesë të shumës e ka mbajtur për vete, kurse pjesën tjetër e ka dorëzuar për udhëheqësit e ndërrimeve dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavljeviq.
Izet Uskoviq akuzohet nga prokuroria se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, zëvendës i udhëheqësit të ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë, e sidomos me të pandehurin Dragana Radojeviq, të cilin e ka pas epror ku ka zbatuar udhëzimet e tij dhe të komandantit të stacionit, duke udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende të kalojnë, duke marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke shkuar në vende të caktuara për të mbledhë shumat e parave e të cilët kontrabandistët i kishin lënë dhe të njëjtat shuma i ka dorëzuar për udhëheqësin e ndërrimit dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit, Rade Radosavljeviq.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.
Sipas aktakuzës, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzoheshin se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm kanë kontrabanduar mallra, dhe atë mallra ushqimorë, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, duke iu shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, në atë mënyrë që duke bashkëpunuar me tani të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq, Ana Vasoviq Baraç, Izet Uskoviq dhe Dragan Radojeviq, në cilësinë e personave zyrtarë në Policinë e Kosovës në SPMK-Leposaviq, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkonte të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Kontrabandë me mallra”.
Në aktakuzë thuhet se Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzoheshin se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të kalimit të mallrave kontrabandë nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, u kanë dhënë shuma të parave apo përfitim tjetër personave zyrtarë-policëve të SPMK në Leposaviq, në mënyrë që personat zyrtarë të veprojnë ose të mos veprojnë në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ku me të njëjtit janë dakorduar që me rastin e kalimit të mallrave të paguajnë shuma të parave sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet, dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 për çdo kamion, që këto shuma të parave i kanë paguar tek zyrtarët policorë, por edhe i kanë lënë nëpër vende të caktuara si tek pompa e derivateve “Cekaliç”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, ku pas hetimit nga ana e policisë edhe janë arrestuar.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkonte të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.


