Lajme

Dushi: U detyruam të lirojmë hapësirat në shesh për shkak të kërkesës së qytetarëve

05/25/2022 17:11
nga:G B

Inspektorët komunalë të Prishtinës kanë filluar largimin e terasave në sheshin “Nënë Tereza”. Kjo po bëhet me qëllim të lirimit të hapësirave publike, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi në një prononcim përmes telefonit për Ekonomia Online, tha se vendimi për rrënimin e terasave të cilat zënë një pjesë të madhe të sheshit, është vendim i kryetarit Rama.

“Është një proces që është duke vazhduar për disa ditë me radhë, është vizion edhe vendim i kryetarit Rama për të liruar sheshin nga konstrukcionet të cilat e kanë zënë një pjesë të madhe të sheshit e të cilat janë pa leje aty, pa pëlqim të organeve kompetente. Ne si drejtori e inspekcionit natyrisht kemi komunikuar me të gjitha bizneset që janë në shesh dhe mbi kurriz dhe disa prej tyre shumica prej tyre kanë marrë përsipër që t’i largojnë vetë”.

Sipas tij, një pjesë që kanë refuzuar për t’i larguar vetë, atëherë komuna përmes kompanive të kontraktuara i ka larguar.

“Një pjesë që kanë refuzuar mi largu vetë dhe ne si drejtori e inspeksionit përmes kompanisë të cilën e kemi të kontraktuar i kemi larguar konstruksionet në fjalë”.

Ndryshe, një inspektim në shesh sot ka zgjatur prej orës 09:30 deri në ora 15:30, e lidhur më këtë Dushi tha se kjo iniciativë erdhi në saje të kërkesave të qytetarëve.

“Nuk është e lehtë në fakt shkatërrimi  i një konstruckioni që është ndërtuar, ajo i merr kohë punëtorëve. Po si proces punëtorët janë duke u zhvilluar dhe ju keni mundur me pa se pjesa më e madhe duke filluar prej Kuvendit të Kosovës e teposhtë, tashmë janë liruar. Dhe kanë me përfundu për një kohë shumë të shkurtër në të gjithë sheshin. Për prioritet dhe për shkak të ankesave të mëdha që qytetarët që i kemi pas për ngushtim të hapësirave lëvizëse të tyre”, tha ai.