Lajme

Rasti Ukë Rugova II, dëshmitari thotë se s’kishte aplikuar për vizë italiane por e kishte marrë përmes Blerina Kllokoqi-Rugova

05/25/2022 15:16
nga:G B

Dëshmitari Uran Elshani tha se nuk kishte aplikuar për vizë italiane, por të njëjtën e kishte marr përmes Blerina Kllokoqi-Rugova.

Këtë deklarim Elshani e dha të mërkurën në gjykimin ndaj 15 të akuzuarve për mashtrim me viza në rastin Ukë Rugova II, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndyrshe, të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islam ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 prill 2022.

Pasi që Elshani deklaroi se ka qenë i pajisur me vizë italiane në vitin 2013, prokurorja Florije Shamolli e pyeti të njëjtin se a kishte aplikuar për këtë vizë, e dëshmitari më pas sqaroi se këtë vizë e ka marr përmes Blerina Kllokoqit, me të cilën njihet pasi që punojnë së bashku.

“Unë kam njohuri me Blerina Kllokoqin se punojmë në vazhdimësi, Blerina merret me dizajn me të cilën unë bashkëpunoj pasi që shes materiale, kemi bisedu për një panair i cili më duket se ka qenë në Paris ose Milano dhe për shkak të termineve të gjata ajo më ka thënë se nëse don me kry punë shpejt, mundemi me kry punë, me qenë se panairi ka qenë më shpejt e mos me prit”, tha Elshani.

Tutje, prokurorja Shamolli e pyeti të njëjtin nëse i është kërkuar ndonjë dokumentacion për këtë vizë, e për çka ai tha se kishte dorëzuar pasaportën dhe dy fotografi, ndërkaq nuk i ishte kërkuar pagesë.

Më pas Elshani tha se nuk kishte plotësuar asnjë aplikacion, ndërkaq pasaportën ia kishte dorëzuar Blerina Kllokoqit diku në Prishtinë, e cila pasaportë i është kthyer me vizë Italiane diku pas një muaji.

Në fund Elshani tha se këtë vizë e kishte përdorur për një udhëtim 4-5 ditorë dhe është kthyer në Kosovë, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë problem gjatë kontrolles në pika kufitare.

E i pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli se a e din procedurën e aplikimit për vizë dhe se a thotë agjensioni me dal në rrugë dhe me dhënë pasaportën, dëshmitari tha se nuk e din procedurën e agjensionit por pas bisedimit me Kllokoqin, e njëjta i kishte thënë se është procedurë e thjeshtë.

“Nuk e di cila është procedura e agjensonit se kom bisedu me Blerinën dhe ajo më ka thënë është procedurë e thjesht dhe me kaq ka përfundu”, tha Elshani.

Ndryshe, në seancën e sotme nuk ishin prezent dëshmitarët Luan Ahmeti, Dionis Alijaj, Naser Berisha dhe Blerim Morina.

Pasi që nuk kishte kushte për të vazhduar seanca, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi e ndërpreu të njëjtën për të vazhduar më 26 maj 2022.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendor, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se PSRK-ja ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.

PSRK-ja po pretendon se 15 të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, kishin vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët, me qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Ky rast është ndarë në dy pjesë, pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas.