Lajme

Laboratorët e drogës dhe sulmi ndaj Policisë, eksperti i sigurisë jep paralajmërimin

05/24/2022 18:51
nga:G B

Dy laboratorë të drogës janë zbuluar sot në dy aksione të Policisë së Kosovës.

Njëri ishte në Ferizaj, ku u shkatërrua laboratori i drogës sintetike, ku u konfiskuan mbi 68 kg drogë dhe u arrestuan 10 persona.

Për këtë njoftoi ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili tha se Policia nuk do të ndalet së luftuari krimin në Kosovë.

Pas atij të Ferizajt, një tjetër aksion u zhvillua në kufi me Serbinë, ku një tjetër laborator i drogës u zbulua nga Policia e Kosovës në afërsi të kufirit me Serbinë, në vendin Izvor, në veri të Kosovës.

Aty Policia gjeti laboratorin e kultivimit të marihuanës me mbi 10.000 fije bimë të gatshme për tu shitur ilegalisht në treg, në vlerë prej 6 milionë eurosh.

E ministri Sveçla njoftoi se gjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe të doganave u gjuajtën me armë zjarri, por që aksioni vazhdoi me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material.

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se aksionet e tilla tregojnë punën e jashtëzakonshme nga institucionet e sigurisë dhe dëshmojnë se nuk do të ketë tolerancë për grupet kriminale.

“Aksionet në veri të vendit është në vazhdën e punëve që janë duke kryer Policia e Kosovës nëpërmjet pjesës operative mbi 1 vit, në identifikimin e grupeve kriminale të kontrabandës dhe veprimeve kriminale. Ky aksion që ishte një punë e jashtëzakonshme nga ana e institucioneve të sigurisë po e dëshmon faktin që kemi tani me një strategji e cila është duke jetësuar në Kosove dhe e cila është zero tolerancë për këto grupe”, thotë Shala.

Sipas tij, duhet të dihet se droga që po kultivohej a ishte për treg vendor apo kishte destinacion Serbinë.

“Në aksionin kundër kontrabandës Policia ka hasur në një laborator ku ishin duke u kultivuar substanca narkotike dhe që ende nuk dihet se a ka pasur për treg vendor kjo substancë e sasi apo ka pasur për destinacion Serbinë, kjo duhet të analizohet pas marrjes së masave tjera hetimore”, thekson eksperti i sigurisë për Gazeta Blic.

Sa i përket sulmit me armë ndaj Policisë, Shala vlerëson se rreziku në aksionet në veri të vendit është në shkallë të lartë dhe gjithmonë pritet të ketë rezistencë nga grupet e tilla kriminale.

“Çdo aksion në veri të vendit shkalla e rrezikshmërisë është tejet e lartë dhe duhet të pritet që do të ketë gjithmonë rezistencë nga këto grupe kriminale, herë të mbështetur nga Serbia, e herë të mbështetur nga individë dhe grupe kriminale më pedigre rajonale”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/