Lajme

Zyrtari i AKPPM-së mohon t’i ketë tërhequr 18 mijë e 200 euro në emër të avancave për udhëtime zyrtare

05/24/2022 16:19
nga:G B

Shefi i Divizionit për produkte herbale në kuadër të departamentit të autorizim-marketingut ose regjistrim të barnave në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Muhamer Beshiri ka thënë se nuk ka pranuar dhe kërkuar asnjëherë shumën prej 18 mijë e 200 euro në emër të avancave për udhëtime zyrtare.

Një deklarim të tillë, Beshiri e ka dhënë derisa ishte duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Haki Gecaj në gjykimin ndaj zyrtarit të AKPPM-së, Mendim Sojeva dhe zyrtares së Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Ganimete Gashi– Ahmeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nga dëshmitë që unë kam fletëtërheqjet që janë bërë nga NLB Banka në Prishtinë vërtetohet se në emrin tuaj në emër të avancave janë tërhequr 18 mijë e 200 euro. A e keni pranuar ju në ndonjë mënyrë këtë shumë në emër të avancave në vitin 2017?”, pyeti prokurori Gecaj.

Ndërsa, dëshmitari u përgjigj se në asnjë mënyrë nuk e ka pranuar këtë shumë.

“Jo në asnjë mënyrë, jam i sigurt për këtë. Nuk kam pasur asnjë kërkesë për avancë tjetër përveç atyre që i ceka”, u përgjigj dëshmitari.

Paraprakisht, dëshmitari Beshiri ka deklaruar se në AKPPM punon që nga viti 2005 dhe se nga viti 2014 e deri në mars 2018 ka udhëtuar tri herë, ku në dy prej tyre ka marrë avanca për udhëtime.

Sipas dëshmitarit, në vitin 2015 ai kishte qenë në Gjermani së bashku me dy kolegë dhe në vitin 2017 në Zagreb, po ashtu me dy kolegë.

Kërkesa për avanca ai tha se është bërë prej tij përmes formularëve unik, më pas është aprovuar nga drejtori i departamentit dhe kryeshefi dhe se e njëjta kërkesë ka shkuar tek Departamenti i Financave, ku ky departament konkretisht Mendim Sojeva i ka zhvilluar procedurat tjera më pas për të cilat tha se që nuk ka njohuri.

Avancat për udhëtime zyrtare, ai tha se zakonisht ua ka dorëzuar zyrtari i financave që sipas tij ka qenë i akuzuari Sojeva.

Në vitin 2015m ai tha se shuma për tre zyrtarët në total ka qenë përafërsisht rreth 4000 euro avanca, ndërsa në vitin 2017 shuma totale ka qenë 6 mijë euro.

Pas kthimit nga këto udhëtime, dëshmitari deklaroi se ai së bashku me dy zyrtarët kanë shkuar tek i akuzuari Sojeva për t’u barazuar.

Por, ka mohuar që të ketë kërkuar avanca të tjera për ndonjë udhëtim zyrtar.

“Jo, dhe përveç këtyre dy udhëtimeve që i ceka njëra në 2015 dhe tjetra 2017, nuk kam pranuar avancë tjetër dhe jam i sigurt se nuk kam pasur kërkesë për avancë në vitin 2017”, tha ai.

Më pas, gjatë kësaj seance janë dëgjuar edhe katër dëshmitarë të tjerë, Arsim Ibrahimi, Adelina Lika, Fitnete Mjaku dhe Rajmonda Hyseni.

Deklarim të ngjashëm rreth procedurës së marrjes së avancave kanë dhënë edhe dëshmitarët Ibrahimi dhe Lika.

Dëshmitari Arsim Ibrahimi ka thënë se në AKPPM punon nga 1 janari 2015 dhe se është udhëheqës i divizionit për mikrobiologji-biologji.

Gjatë viteve 2014- mars 2018, ai ka thënë se ka qenë në gjashtë udhëtime zyrtare, për të cilat ka marrë avancë në shuma rreth 700 deri në 1 mijë euro.

Mirëpo, i njëjti ka mohuar që gjatë vitit 2017 të ketë marrë shumën prej 8 mijë e 130 euro në emër të avancave për udhëtime zyrtare.

Gjithashtu, edhe dëshmitarja Adelina Lika ka mohuar që në emër të avancave gjatë vitit 2017 të ketë marrë shumën prej 5 mijë e 800 euro.

Ajo ka thënë se gjatë periudhës kohore 2014- mars 2018 ka qenë u.d e drejtorit në Departamentit e Komisionit për Evaluimin e Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale.

Gjatë kësaj periudhe, ajo tha se ka qenë vetëm një herë në udhëtim zyrtar dhe atë në vitin 2017 në Zagreb së bashku me pesë kolege të tjera.

Për këtë udhëtim, ajo tha se nuk i kujtohej shuma e saktë e avancës që kishte marrë, por se e di që më shumë se 1 mijë e 100 euro nuk kishte qenë.

Më pas, dëshmitarja Fitnete Mjaku ka thënë se nga 1 korriku 2017 ka filluar të punojë në Ministrinë e Shëndetësisë (MSh) si zyrtare e kontabilitetit dhe se me të akuzuarën Gashi-Ahmeti ka punuar rreth tre muaj në të njëjtën zyre së bashku edhe me dëshmitaren Rajmonda Hyseni.

Ajo ka thënë se ka pasur edhe qasje në sistemin SIMFK si zyrtare alternative kur me autorizim të drejtorit e ka zëvendësuar të akuzuarën Gashi-Ahmeti

“Unë nuk kam qenë zyrtare shpenzuese me aktvendim se kam qenë zyrtare për kontabilitet, por siç e theksova kam qenë vetëm zëvendëse e Ganimetes kur ka marrë pushim vjetor. Ky zëvendësim zakonisht është bërë me urdhër gojor nga drejtorit ose ndonjëherë ka qenë edhe me e-mail”, tha ajo.

Gjatë këtij zëvendësimi, dëshmitarja tha se ajo nuk ka pasur për të regjistruar shpenzime të avancave për udhëtime zyrtare, por vetëm shpenzime komunale.

E njëjta ka shtuar se ajo dhe e akuzuara Gashi-Ahmeti kishin shkëmbyer fjalëkalimet për t’u qasur në sistemin SIMFK për qëllime të mira dhe se e akuzuara Gashi-Ahmeti herë pas here është shërbyer me kompjuterin e saj pasi që ky sistem ishte i instaluar edhe në atë kompjuter.

“Ajo më ka thënë që nuk po i bon sistemi i pagesave, nganjëherë edhe printeri ka thënë se nuk po i bon. Ka ndodh edhe sa isha unë në zyre Ganimetja ta përdorë kompjuterin tim, por ka ndodhur që edhe ato dy zyrtaret tjera që kanë ardhë më vonë në zyrën time, Nexhmije Aliu dhe Hyra Bashota edhe ato e kanë pa Ganimeten duke e përdorë kompjuterin tim”, tha ajo.

E njëjta shtoi se këto dy zyrtare i kishin thënë përse ia lejonte kompjuterin e saj të akuzuarës.
“Edhe ato kanë thonë pse po ia liron përdorimin e kompjuterit ton se ti je e sëmurë, se mua më ra ta pres në këmbë përmbi një orë derisa ka kryer lëndët që i ka pas për me i bo pagesat, nuk ka pasur qëllim të keq”, theksoi tutje ajo.

E akuzuara Gashi-Ahmeti në kompjuterin e dëshmitares, sipas kësaj të fundit është kyçur me fjalëkalim të saj, ndërsa në sistemin SIMFK, ajo tha se nuk e dinte me cilin përdorues ishte kyçur e akuzuara, mirëpo dëshmitarja ka thënë se këtë fjalëkalim e ka pasur vetëm e akuzuara.

Lidhur me keqpërdorimin e kompjuterit të saj, ajo ka thënë se e kishte kuptuar pas kthimit nga pushimi, nga zyrtarët policorë.

“Do të thotë, është fjala për avancat që janë mbyllur nga kompjuteri im, ashtu më kanë thënë pasi jam kthyer në punë sepse isha në pushim dhe të njëjtën gjë ma kanë thënë kur kam dhënë deklaratë në polici. Më kanë thënë se në kohën kur kam qenë në pushim edhe në pauzë, edhe pas orës 4 kur kamerat më kanë parë që kam dalë nga objekti i MSH dhe këtë e kanë vërtetuar me anë të kamerave, pra kompjuter u përdorë kur unë s’kom qenë në zyre”, tha ajo.

Në fund, dëshmitarja Mjaku ka thënë se rreth një muaj para se afera të bëhej shumë mediatike, ajo me të akuzuarën Gashi-Ahmeti nuk kishin pasur raporte të mira, pasi që kjo e fundit kishte menduar se dëshmitarja donte t’ia zinte vendin e punës.

“Gjatë atij një muaji sa nuk kemi folur ne mes veti, ajo nuk e ka përdorë kompjuterin tim, ndërsa kur unë nuk jom kon aty nuk e di. Ganimetja edhe kur është largu nga zyra ime çelësin e zyrës e ka pasur sepse ato zyrtaret kur kanë ardhë kanë thënë se Ganimetja nuk ua ka dorëzuar çelësin dhe të njëjtat e kanë marrë e çelësin tim të zyrës edhe e kanë bo kopje”, tha ajo.

Ndërsa, të akuzuarin Sojeva ajo tha se e kishte takuar në zyrë kur i njëjti me letra në dorë kishte shkuar për t’u takuar me të akuzuarën Gashi-Ahmeti.

“Në kohën kur kam punuar në të njëjtën zyre me Ganen e di se Mendim Sojeva ka ardhur zyrtarisht te Ganimetja dy herë, ai ka pasur letra në dorë po tash çfarë letra jon kon unë nuk e di”, thotë dëshmitarja.

Ndërsa, dëshmitarja Hyseni ka thënë se në MSH punon që nga viti 2001 dhe se në periudhën 2014- mars 2018 ka punuar në Departamentin e Financave.

Ajo ka thënë se nuk ka pasur qasje në sistemin SIMFK, ndërsa për dy koleget e saja, tani të akuzuarën Gashi-Ahmeti dhe dëshmitaren Mjaku tha se ishte në njohuri që kishin shkëmbyer fjalëkalimet në mes vete dhe se e kishte parë të akuzuarën duke punuar në kompjuterin e dëshmitares Mjaku.

“Arsyen nuk e di, por ndoshta mundet për shkak të internetit se ka ndonjëherë që ndonjë kompjuter ka problem me internet”, tha ajo.

Prokurori e pyeti dëshmitaren nëse kishte rastisur që e akuzuara Ganimete të mbetet në zyrë gjatë pauzës apo pas punës.

“Pas orarit të punës besoj që ka dalë se në atë kohë i ka pas fëmijët e vegjël, e në pauzë ndoshta ka mbet nuk muj me thon po ka mbet, po po besoj që ka mbet se krejt mbesin në pauzë nganjëherë nuk dalim”, u shpreh dëshmitarja Hyseni.

Seancat e radhës në këtë rast ku pritet të dëgjohen dëshmitarët e radhës janë caktuar për 1, 2 dhe 3 gusht 2022.

Ndryshe, me këtë lëndë kishte qenë fillimisht i ngarkuar gjykatësi Valon Kurtaj, i cili edhe e kishte mbajtur seancën fillestare më 6 nëntor 2020, ku dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Por, pas avancimit të gjykatësit Ismaili nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin Special, ky rast ishte ndarë tek ai.

Për këtë arsye, sipas Kodit të Procedurës Penale, në rast të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor fillon rishtas.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 6 tetor 2020, i akuzuari Mendim Sojeva po akuzohet se në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për buxhet dhe financa në AKPPM, në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së.

Sipas PSRK-së, këto avanca i ishin besuar të akuzuarit Sojeva në menaxhim sipas pozitës së tij, ku shumën e përgjithshme prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Fatmir Kajtazi, e kishte pranuar i akuzuari Sojeva, duke nënshkruar në fletë-tërheqje me rastin e pranimit për shumën 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, por për të cilat nuk ka dëshmi se ishin respektuar procedurat për tërheqje.

Në aktakuzë përmenden shuma të ndryshme të parave. Për disa prej tyre thuhet se ekziston dokumentacion i kompletuar, ndërsa për disa të tjera jo, ku vetëm në vitin 2017, sipas prokurorisë, në emër të 40 zyrtarëve të AKPPM-së, ishin tërhequr 290 mijë e 430 euro, të cilët zyrtarë e kishin mohuar se i kishin pranuar këto shuma dhe se nuk ka dëshmi për pranim nga ana e tyre në emër të MSh-së.

E gjithë kjo shumë e avancave, sipas PSRK-së, ishte zotuar në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK) me ID të përdoruesve Shkelzen Sadriu në vlerë 1 milion e 238 mijë e 764 euro, me ID të përdoruesit Naime Shahini-Feta shuma prej 173 mijë e 305 euro, të cilët zyrtarë kishin mohuar se kishin bërë këto shuma të zotimeve, duke dyshuar në të akuzuarin Sojeva, i cili sipas tyre i kishte keqpërdorur fjalëkalimet e tyre.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se regjistrimi i shpenzimeve për avancat në SIMFK ishte bërë me ID të Dhurata Alihajdaraj–Veseli, shuma prej 553 mijë e 269 euro, me ID të Thesarit, Ibadete Shala shuma prej 156 mijë e 750 euro dhe Bali Morina shuma prej 20 mijë e 850 euro, të cilët kishin mohuar se kishin bërë regjistrim të shpenzimeve të avancave duke e akuzuar të akuzuarin për keqpërdorim të fjalëkalimeve të tyre.

Sipas aktakuzës, aprovimi i tërheqjes ishte bërë nga zyrtari kryesor financiar në MSh, Musa Rexhaj dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar Hajzer Dobra, kurse nga e gjithë shuma e tërhequr, të përdoruesit të të akuzuarit Sojeva ishin certifikuar 779 mijë e 289 euro, për të cilat në AKPPM, nuk ekziston dokumentacion për arsyetimin e tyre.

Nga shuma prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra në emër të avancave, për 133 mijë e 940 euro, ekziston dokumentacion i kompletuar dhe gjysmë i kompletuar, kurse për avancat e tërhequra në vlerë prej 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, përveç fletë tërheqjeve të siguruara nga AKPPM dhe NLB, e të nënshkruara nga i akuzuari se i kishte pranuar, në AKPPM nuk ekziston asnjë dokumentacion se ato avanca ishin miratuar apo aprovuar nga menaxhmenti apo se cili zyrtar i kishte pranuar.

Kjo shumë e paarsyetuar si dëshmi, sipas PSRK-së ishte përvetësuar nga i akuzuari Sojeva, i cili i kishte pranuar ato para, duke i shkaktuar dëm buxhetit të AKPPM-së – Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së, Sojeva në cilësinë e zyrtarit certifikues për qasje në SIMFK dhe Ganimete Gashi-Ahmeti si zyrtare shpenzuese për qasje në këtë sistem, nga 7 shkurti e deri me 12 shkurt 2018, përmes ueb-shfletuesit “Internet Explorer”, kishin hyrë në këtë sistem me fjalëkalim të personave zyrtar të Ministrisë së Financave, kishin mbyllur avancat duke bërë regjistrimet si shpenzim dhe certifikim të avancave për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka të emër të zyrtarëve të AKPPM-së me user të Bali Morinës.

Kështu, të njëjtit pretendohet se kishin regjistruar kuponë shpenzimi në vlerë 20 mijë e 850 euro, ndërsa në emër të Ibadete Shalës kishin regjistruar si shpenzim i avancave për udhëtime zyrtare 72 kuponë në vlerë 154 mijë e 736 euro e 84 centë, në shumë të përgjithshme 175 mijë e 586 euro e 84 centë, me user të të akuzuarit Sojeva, duke u munduar të arsyetojnë këtë shumë të avancave të tërhequra nga Banka NLB, në emër të zyrtarëve të AKPPM-së.

Për këto veprime, Sojeva po ngarkohet me veprat penale “Përvetësimi në detyrë”, dhe në bashkëkryerje më të akuzuarën Ganimete Gashi–Ahmeti edhe për veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”.