Lajme

7 vite e gjysmë burgim ndaj të akuzuarve për vrasje në tentativë, ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale dhe armëmbajtje pa leje

05/24/2022 14:31
nga:N M

Gjykata Themelore në Ferizaj, të martën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Fatmir Lika, Avdi Suma dhe Flamur Tusha, duke i dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për “Vrasje në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë”.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit Kastriot Çaka për veprën penale “moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”, u shpall aktgjykim lirues.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të martën nga gjyqtari i çështjes, Habib Zeqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Fatmir Lika për veprën penale “Vrasje në tentativë” u dënua me burgim prej 2 vite e 6 muaj, ndërsa për veprën penale të armëmbajtjes pa leje u dënua me dënim burgimi prej 1 viti.

Ndaj të njëjtit, u shqiptua dënim unik prej 3 viteve, ku do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Lidhur me akuzën për veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” nga neni 321, paragrafi 1 i Kodit Penal, prokurori është tërhequr nga akuza, andaj ndaj të akuzuarit Lika për këtë vepër penale është refuzuar akuza.

Ndërsa, i akuzuari Avdi Suma për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë”, u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 22 marsi 2021 deri më 24 maj 2022.

Kurse, i akuzuari Flamur Tusha për veprën penale “Vrasja në tentativë” u dënua me burgimi prej 3 viteve, ndërsa për veprën penale të armëmbajtjes pa leje u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve. Ndaj të njëjtit u shqiptua dënim unik prej 3 viteve.

Sipas aktgjykimit, në këtë dënim, të akuzuarit Tusha do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Gjykatësi Habib Zeqiri bëri të ditur se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Sipas akuzës, i pandehuri Fatmir Lika, në natën kritike së bashku me shokët e tij, tani të pandehurit Avdi Suma dhe Kastriot Çaka ishin nisur në drejtim të Kaçanikut me veturën e tani të pandehurit Avdi Suma, të cilën e kishte drejtuar vet ai.

Tutje në akuzë thuhet se të njëjtit me të arritur në fshatin Rekë, ishin takuar me të dëmtuarit Flamur dhe Lirim Tusha, në ato momente thuhet se i pandehuri Fatmir kishte dalë nga vetura me një pushkë automatike AK-47, me të cilën kishte shtënë në drejtim të veturës së të dëmtuarit Flamur.

Me ç’rast, thuhet se si pasojë e të shtënave me armë, të dëmtuarit Flamur Tusha i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të konstatuara nga eksperti mjeko-ligjor, ndërsa i dëmtuari Lirim Tusha sipas ekspertit mjeko-ligjor kishte pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin, të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë mprehtës.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Vrasja në tentative” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

I akuzuari Fatmir Lika sipas pikës II të dispozitivit të aktakuzës, thuhet se nga data e pacaktuar e deri më 7 mars 2021, në shtëpinë e tij në fshatin Strazh, Komuna e Kaçanikut, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, kishte mbajtur në kontroll dhe posedim një pushkë automatike AK-47, të cilën nuk e kishte prezantuar para organeve të ndjekjes.

Në akuzë thuhet se gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij nga ana e hetuesve policorë më 18 maj 2021, i ishin gjetur dhe sekuestruar 21 copë fishekë të të njëjtës armë.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

I akuzuari Fatmir Lika sipas pikës III të dispozitivit të aktakuzës, thuhet se më 7 mars 2021, në fshatin Rekë të Komunës së Kaçanikut, me dashje kishte dëmtuar dhe kishte bërë të papërdorshme pasurinë e personit tjetër, përkatësisht të dëmtuarit Flamur Tusha, në atë mënyrë që me përdorimin e armës-pjesës së kondakut të pushkës automatike AK-47, ia kishte thyer xhamin anësor të veturës, kah ulësja e pasagjerit, me ç’rast i kishte shkaktuar dëm material në vlerë të papërcaktuar.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit IV të aktakuzës, i akuzuari Avdi Suma, thuhet se në vend, kohë dhe datë të njëjtë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Fatmir Lika në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë, kështu duke i premtuar paraprakisht se do t’i fshehë provat e kryerjes së veprës penale, kryerësin apo identitetin e kryerësit.

Tutje thuhet që në ditën kritike duke qenë në dijeni se i pandehuri Fatmir dhe vëllai i tij kishin qenë të përfshirë në një rrahje një natë më parë, i njëjti me veturën e tij “Golf IV” së bashku me të pandehurin tjetër Kastriot Çaka, kishin shkuar tek shtëpia e Fatmirit në fshatin Strazhë të Komunës së Kaçanikut, dhe pasi kishin qëndruar për një kohë aty duke biseduar lidhur me rastin, të pandehurit Fatmir Lika, Avdi Suma dhe Kastriot Çaka, që të tre ishin nisur në drejtim të Kaçanikut.

I pandehuri Fatmir thuhet se kishte marrë pushkën automatike AK-47 me vete, ashtu që me të arritur dhe takuar me të dëmtuarin Flamur, i cili ka qenë në veturën e tij, i pandehuri Fatmir kishte dalë nga vetura e tij me pushkën automatike AK-47 duke shtënë në drejtim të veturës së Flamurit, të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 33 të Kodit Penal.

I pandehuri Kastriot Çaka, sipas dispozitivit V të aktakuzës, thuhet se në vend, kohë dhe datë të njëjtë si në dispozitivët e lartshënuar të kësaj aktakuze, duke qenë në dijeni për përgatitjen e veprës penale, nuk kishte lajmëruar këtë fakt në kohën kur kryerja e veprës penale ende kishte mundur të evitohet, ndërsa vepra penale e vrasjes është tentuar të kryhet.

Sipas akuzës, i njëjti në ditën kritike duke qenë në dijeni se i pandehuri Fatmir dhe vëllai i tij kishin qenë të përfshirë në një rrahje një natë më parë, i njëjti me veturën e tij “Golf IV” së bashku me të pandehurin tjetër Kastriot Çaka, kishin shkuar tek shtëpia e Fatmirit në fshatin Strazhë të Komunës së Kaçanikut, dhe pasi kishin qëndruar për një kohë aty duke biseduar lidhur me rastin, që të tre ishin nisur në drejtim të Kaçanikut.

Tutje thuhet se i pandehuri Fatmir kishte marrë pushkën automatike AK-47 me vete, ashtu që me të arritur dhe takuar me të dëmtuarin Flamur i cili ka qenë në veturën e tij, i pandehuri Fatmir kishte dalë nga vetura e tij me pushkën automatike AK-47 duke shtënë në drejtim të veturës së Flamurit, të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale” nga neni 377, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nënpar. 2.2 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit VI të aktakuzës, i akuzuari Flamur Tusha, thuhet se më 7 mars 202, në fshatin Rekë- Kaçanik, me dashje kishte tentuar që t’i privojë nga jeta të dëmtuarit Fatmir Lika, Avdi Suma dhe Kastriot Çaka, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të ndodhur në natë më parë, në mes të pandehurit Fatmir Lika, vëllait të tij Sabedin Lika dhe tani të dëmtuarit Lirim Tusha, të njëjtit natën kritike, me t’u takuar në vendin e përshkruar si më lartë, i pandehuri Flamur kishte dalë nga vetura dhe kishte filluar të shtie në drejtim të tyre me armë zjarri-revole të markës CZ kalibër 9 mm, përderisa të dëmtuarit kishin qenë duke ikur në këmbë.

Sipas akuzës, si pasojë e të shtënave me armë, kishte goditur të dëmtuarin Kastriot Çaka në pjesën e përparme të shpinës, përkatësisht në anën e majtë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore të konstatuara sipas ekspertit mjeko-ligjor, ndërsa pasojat në shëndet sipas ekspertit, kualifikohen pas një periudhe kohore të largimit të mbetjeve metalike nga regjioni i poshtëm i kularthit të majtë të predhës së hedhur nga arma e zjarrit.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

I akuzuari Flamur Tusha sipas pikës VII të dispozitivit të aktakuzës, thuhet se nga data e papërcaktuar e deri më 7 mars 2021, i njëjti në shtëpinë e tij në fshatin Soponicë, Komuna e Kaçanikut, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, kishte mbajtur në kontroll dhe posedim një revole të markës CZ (prodhim jugosllav), kalibër 9mm, me të cilën natën kritike, në fshatin Rekë, Komuna e Kaçanikut, kishte shtënë disa herë dhe me atë rast i kishte shkaktuar lëndime trupore Kastriot Çakës, ndërsa armën në fjalë nuk e kishte prezantuar para organeve të ndjekjes.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.