Lajme

Lija e Majmunëve ishte shfaqur në vitet e 70-ta, infektologët: S’është vdekjeprurëse, s’ka nevojë për panik

05/24/2022 11:59
nga:Q R

Lija e Majmunëve tek njerëzit për herë të parë është përhapur në vitin 1970 dhe pas shumë viteve kjo sëmundje është rikthyer sërish.

Kështu thotë infektologu Hamdi Ramadani në një intervistë për GazetaBlic. Sipas tij, mundësia e paraqitjes së Lisë së Majmunëve është e mundshme edhe në Kosovë.

“Lija e Majmunëve tek njerëzit për herë të parë është identifikuar në vitin 1970-71. Pas shumë viteve kjo sëmundje është rikthyer sërish dhe mendoj që tash përhapja kaq e madhe ka paraqitur edhe shqetësim të madh. Është e mundshme që ‘Lija e Majmunit’ mund të paraqitet edhe në vendin tonë dhe ne do të shohim ditët në vazhdim se a do të kemi ndonjë rast të dyshimt, nëse po atëherë duhet ta bëjmë të gjithë atë trajtim që po e bëjnë spitalet përkatëse në Itali ose Portugali”, deklaron Ramadani.

Sa i përket trajtimit të kësaj sëmundje, Ramadani thekson se është e njëjtë sikur te sëmundja e Variçelës ose (Lija e Ujit).

“Ngjashmëri të madhe ka trajtimi sikur te sëmundja e variçelës ose (Lija e Ujit) me temperatur, ethe, dridhje, plogështi, dhimbje koke, te nyjeve, humbje të oreksit dhe pas ditës së dytë-tretë shfaqet simptomatologjia që ne e quajm specifike, ndryshimet në lëkurë, pra njolla të kuqe të cilat përfshijn tërë trupin. Mendoj që situata është serioze, por nuk duhet të bëjmë panik te qytetarët.Tash për tash nuk besoj që në vendin tonë mund të paraqitet një situatë alarmante, por mundësia e paraqitjes së saj është e mundshme edhe tek ne”, thotë infektologu Ramadani.

Një ditë më parë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bëri të ditur se në Kosovë ende nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë i Lisë së Majmunëve.

Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me Institutin Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka thënë se po përcjell me vëmendje epidemiologjinë e Lisë së Majmunëve, që nga paraqitja e rasteve të para jashtë kontinentit të Afrikës, në SHBA, Evropë dhe Izrael, me mbi 100 raste të raportuara deri më tani.

IKSHPK njofton se në Republikën e Kosovës, nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë, sa i përket Lisë së Majmunëve.

Po ashtu, IKSHPK ka përpiluar dokumentin e parë, me rekomandime dhe masa për institucionet shëndetësore sa i përket sëmundjes së lisë së majmunëve, i cili është shpërndarë të gjitha institucioneve shëndetësore në vend, dhe do të përditësohet me të dhënat e reja.

“Ju njoftojmë se jemi në komunikim të vazhdueshëm me OBSH-në dhe ECDC-në, për vlerësimin e rrezikshmërisë dhe rekomandimeve për masat që duhet ndërmarrë për sëmundjen në fjalë.

Sa i përket furnizimit me vaksina për një sëmundje të tillë, IKSHP njofton se vaksina ende nuk është e disponueshme për distribuim dhe ekziston në botë vetëm vaksina kundër Variola Vera.

IKSHPK në vazhdimësi po monitoron nga afër situatën epidemiologjike në shtetet e rajonit dhe në botë, dhe konform situatës do të njoftoheni menjëherë në kohë reale”, thuhet në njoftimin e IKSHPK.

Disa informacione të përgjithshme:

-Lia e majmunëve shkaktohet nga virusi i lisë së majmunëve, anëtar i gjinisë Orthopoxvirus në familjen Poxviridae;

-Lia e majmunëve është sëmundje zoonotike virale që shfaqet kryesisht në zonat tropikale të pyjeve të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore dhe herë pas here eksportohet në rajone të tjera;

-Lia e majmunëve zakonisht shfaqet klinikisht me ethe, skuqje dhe ënjtje të nyjave limfatike dhe mund të çojë në sërë komplikimesh mjekësore;

-Lia e majmunëve është zakonisht sëmundje me simptoma të kufizuara që zgjasin nga 2 deri në 4 javë. Mund të ndodhin raste të rënda. Kohët e fundit, raporti i fatalitetit të rasteve ka qenë rreth 3-6%;

-Lia e majmunit transmetohet te njerëzit nëpërmjet kontaktit të ngushtë me person ose kafshë të infektuar, ose me material të kontaminuar me virusin;
Virusi i lisë së majmunit transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet kontaktit të ngushtë me lezione, lëngje trupore, pika të frymëmarrjes dhe materiale të kontaminuara si shtrati;

-Paraqitja klinike e lisë së majmunëve i ngjan asaj të lisë, një infeksion i lidhur me ortopoksvirusin i cili u shpall i çrrënjosur në mbarë botën në vitin 1980. Lija e majmunëve është më pak ngjitëse se lija dhe shkakton sëmundje më pak të rënda;

-Vaksinat e përdorura gjatë programit të çrrënjosjes së lisë ofruan gjithashtu mbrojtje kundër lisë së majmunëve. Janë zhvilluar vaksina më të reja nga të cilat njëra është miratuar për parandalimin e lisë së majmunëve;

-Një agjent antiviral i zhvilluar për trajtimin e lisë është licencuar gjithashtu për trajtimin e lisë së majmunëve.