Lajme

Krasniqi takohet me Gjukanoviqin, i shpreh mirënjohje për mbështetjen e shtetësisë së Kosovës

05/19/2022 16:39
nga:Genita C

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka zhvilluar një takim me Presidentin e Malit të zi, Milo Gjukanoviq, raporton GazetaBlic.

Përmes një shkrimi në “Facebook”, Krasniqi ka dhënë disa detaje nga takimi i tyre ku thotë se kanë folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Krasniqi thotë se PDK do të jetë gjithmonë falënderuse për kontributin dhe mbështetjen që ka dhënë Presidenti Gjukanoviq në pavarësinë e Kosovës.

POSTIMI I PLOTË:

Pata kënaqësinë që sot të zhvilloj një takim miqësor e të frytshëm me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë.
Gjatë këtij takimi folëm për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, Mal të Zi dhe rajon, duke shprehur nevojën për forcimin e bashkëpunimit bilateral mes dy shteteve, pavarësisht pozicionit tonë politik.
Presidentit Gjukanoviq i shpreha mirënjohje për angazhimin e tij në mbështetje të shtetësisë së Kosovës, që nga njohja e pavarësisë së vendit tonë, atëherë si kryeministër i Malit të Zi, e deri sot. Partia Demokratike e Kosovës është përherë falënderuese për kontributin e mikut tonë nga shteti fqinj mik.