Lajme

Lapsus linguae i Xhorxh Bushit: Pushtimi i Irakut është brutal…më falni, pushtimi i Ukrainës”

05/19/2022 08:46
nga:Astrit Gashi

Gjatë një fjalimi, ish-presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush, bëri një gabim, pasi tha se “pushtimi i Irakut është brutal dhe i pajustifikueshëm”, por më pas u korrigjua.

Bush qartësoi se e kishte fjalën për agresionin rus në Ukrainë. Ai këtë lapsus e bëri gjatë fjalimit në Dallas, në të cilin kritikoi sistemin politik në Rusi.

“Rezultati është një mungesë kontrolli dhe ekuilibri në Rusi, dhe vendimi i një njeriu për të nisur pushtimin e Irakut është krejtësisht i pajustifikuar dhe brutal. Desha të them Ukraina” tha Bush, duke tundur kokën.

Ai më pas bëri shaka se gabimi ishte bërë për shkak të moshës së tij dhe publiku shpërtheu në të qeshura.

Kur Bush ishte president, në vitin 2003, Shtetet e Bashkuara kryesuan pushtimin e Irakut, nën dyshimin se ky vend posedon armë për shkatërrim masiv, të cilat megjithatë nuk u gjetën.