Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila ka refuzuar ankesën e ZRRE-së si dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike.
Krasniqi përmes një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike ka qenë vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm, shkruan GazetaBlic.
Sipas tij, PDK-ja do të vazhdojë të qëndrojë në anën e qytetarëve kundër çdo vendimi të kundërligjshëm.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike për familjet kosovare nga ana e Qeverisë dhe ZRRE-së, ka qenë vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm. Sot, kemi mirëpritur vendim e Gjykatës së Apelit, përmes së cilit është ri konfirmuar se ai vendim ka qenë edhe i kundërligjshëm.
Jam shumë i lumtur që qëndrimi ynë parimor për ligjshmëri e në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve si konsumatorë, sot i ka lehtësuar nga barra e atij vendimi rreth 450 mijë familje kosovare. Njëkohësisht, jam shumë falënderues ndaj të gjithë atyre që kanë besuar në këtë kauzë, të cilën ne e kemi ndjekur ligjërisht për të mbrojtur interesin publik dhe qytetarët si konsumatorë. Si në këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në anën e qytetarëve kundër çdo vendimi të kundërligjshëm e të padrejtë të pushtetit”, ka shkruar ai.


