Kosova ka refuzuar të jetë pjesë e iniciativës së Shqipërisë dhe Serbisë, “Ballkani i Hapur”.
Përpos këtyre dy shteteve, pjesë e kësaj nisme është edhe Maqedonia e Veriut, edhe pse kjo është formuar për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Kundër ka qenë edhe Mali i Zi, mirëpo tashmë kryeministri i ri, Dritan Abazoviq ka dalë pro kësaj nisme, derisa ka thënë se pjesë e saj do të duhej të bëhej edhe Kosova, pasi sipas tij, përfiton më së shumti.
Se a duhet Kosova të jetë pjesë e “Ballkanit të Hapur”, për Gazeta Blic ka folur njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula.
Ai vlerëson se nuk mund të ketë bashkëpunim korrekt e as përfitim, nëse nuk ka parim të barabarësisë në mes të shteteve të rajonit, teksa përmend faktin që Serbia ende bën deklarime kundër shtetësisë së Kosovës.
“Nisur nga rrethanat politike aktuale që kemi në rajonin tonë, një gjë kuptohet qartë, që Unioni Europian (UE-ja) asnjëherë nuk e ka konsideruar seriozisht Ballkanin Perëndimor si një mundësi politike suksesi karshi vendeve të Ballkanit. E si rezultat, u ndërmorrën hapa konkret nga ana e znj.Merkel me iniciativën të quajtur ‘Procesi i Berlinit’ të mbështetur edhe nga Franca dhe shtete tjera të UE-së, për të shtyrë rrugëtimin drejtë anëtarësimit të plotë të rajonit në Union Europian. Më pastaj doli në pah edhe një nismë e quajtur ‘Ballkani i Hapur’ që nuk e kishte e as nuk e ka bekimin e Unionit Europian përkundër që zyrtarët e UE-së, asnjëherë nuk e kanë stopuar duke e arsyetur që çdo lloj iniciative që i shërben bashkëpunimit rajonal dhe prosperitetit duhet të konsiderohet!. Por, cilido udhëheqës shtetëror i rajonit, pashmangshëm, një gjë duhet t’a dijë se nuk mund të ketë kurfarë bashkëpunimi korrekt e as përfitimi nëse vendeve të rajonit u mungon parimi i barabarësisë. Pra, pa një respektim si subjekte shtetërore në rajon, s’ka kurrfarë përfitimi për Kosovën në këtë rast, meqë Serbia akoma bën deklarime publike kundër shtetësisë tonë. Ndërkaq, pëfitimet mund të jenë veç selektive”, ka thënë ai.

Sipas Pulës, Serbia duke qenë se i prin kësaj nisme rajonale, vazhdon ende kërcënimet dhe ka një politikë agresive kundër Kosovës, andaj në këtë mënyrë nuk e sheh të arsyeshme që t’i bashkohet kësaj iniciative.
“Tashmë dihet botërisht se nismës rajonale ‘Ballkani i Hapur’ i prin një shtet si Serbia, me një politikë e diplomaci agresive kundër Republikës së Kosovës, por jo vetëm, edhe kundër Bosnje e Hercegovinës madje edhe kundër Malit të Zi. Prandaj, kjo nismë ka aq të meta sa mundësia për bashkëpunim rajonal jashtë ombrellës së UE-së, ka pak mundësi të ketë sukses. Edhe sot, Serbia fshehurazi bën kërcënime të herë-pas-herëshme për një rebelim të mundshëm kundrejt vendeve fqinje, siҁ e kemi rastin konkret me kërcënimet e hapura ndaj veriut të Kosovës apo të Dodik-ut, në Bosnje e Hercegovinë etj. Pra, referuar arsyeve të mësipërme, por edhe arsye të tjera, brenda Ballkanit perëndimor nuk mund të ketë asnjë sukses kurrfarë iniciative apo nisme, pa bekimin e Unionit Europian”, ka vlerësuar Shqiprim Pula për Gazeta Blic.
Ndërsa, nëse Kosova do të përfitonte nga kjo nismë apo jo, ai thekson se ajo është godije ndaj “Procesit të Berlinit” dhe se Kosova mund të përfitojë pak ose aspak nga ajo.
“Ide e iniciativa si “Ballkani i Hapur” kryesisht janë si rezultat i dështimeve të një-pas-njëshme të UE-së, për një ripajtim të sinqertë fqinjësie ndërmjet vende të rajonit tonë, konkretisht Kosovës e Serbisë. Nisma ‘Ballkani i Hapur’ është një goditje ndaj ‘Procesit të Berlinit’ edhe një argument shtesë për të dëshmuar dështimin e UE-së, karshi Ballkanit Perëndimor. Prandaj, Republika e Kosovës mund të përfitojë fare pak apo asgjë, ngase mund të ketë politika edhe të gabuara e zotime të dobëta për zbatim të tyre, pa mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Unionit Europian dhe pa respektimin e statusit shtetëror të Kosovës”, ka deklaruar Pula./Gazeta Blic/


