Lajme

Kommersant: Kosova ka një mundësi të madhe për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës

05/12/2022 19:29
nga:Astrit Gashi

Gjasat e Prishtinës për anëtarësim në Këshillin Evropian janë të mëdha, veçanërisht pas përjashtimit të të Rusisë nga kjo organizatë, shkruan e përditshmja ruse Kommersant,përcjellë GazetaBlic.

Gazeta rikujton se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka premtuar një përgjigje të fortë diplomatike, padyshim duke llogaritur në mbështetjen e Moskës, por, siç thonë ata, pyetja është nëse do ta marrë atë.

Kommersant shkruan se anëtarësimi i Prishtinës në Këshillin e Evropës do të ishte një fitore e madhe diplomatike dhe se ajo ka gjasa të mëdha për të fituar shumicën e nevojshme të votave në atë organizatë, pasi dy të tretat e anëtarëve e mbështetën pavarësinë e Kosovës.

Gazeta shkruan, duke cituar burime të paidentifikuara pranë autoriteteve serbe, se Beogradi do të rifillojë një fushatë aktive diplomatike në mënyrë që vendet që kanë njohur Kosovën të tërheqin njohjen.

“Në udhëheqjen e një fushate të fuqishme globale për revokimin e njohjes së Kosovës, Beogradi qartazi po llogarit në mbështetjen e Moskës, si më parë,” tha gazeta, duke shtuar se ministria e Jashtme ruse kohët e fundit kishte shprehur pakënaqësi me qëndrimin e Serbisë, e cila mbështeti tri rezolutat kundër Rusisë në OKB”.