Presidentja Vjosa Osmani është pritur në takim nga kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonytė, me të cilën ka diskutuar për sigurinë në Evropë pas fillimit të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, përcjell Gazeta Blic.
Osmani ka thënë se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Lituanisë ndër vite, ndërkaq ka shtuar se tani është kyqe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në aspiratat tona drejt integrimit në BE dhe në NATO.
Postimi i saj i plotë në Facebook:
Forcimi i bashkëpunimit me aleatët tanë mbetet prioritet kyç i politikës sonë të jashtme
Sot, në Vilnius, u prita nga kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonytė, me të cilën diskutuam për situatën e sigurisë në Evropë pas fillimit të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës si dhe për rritjen e bashkëpunimit tonë bilateral në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, teknologjisë informative si dhe në fusha të tjera.
Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Lituanisë ndër vite, ndërkaq tani është kyqe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në aspiratat tona drejt integrimit në BE dhe në NATO. Në një kohë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, me kryeministren u dakorduam që ta intensifikojmë bashkëpunimin e ndërsjellë në politikën e jashtme dhe të sigurisë.



