Agnesa HAXHIU, Hulumtuese KDI
Rregullorja aktuale e Punës së Kuvendit është miratuar në vitin 2010 nga Legjislatura e III-të, dhe e njëjta ka shërbyer për të gjitha legjislaturat vijuese.
Përpjekjet për të miratuar Rregulloren e re nuk kanë qenë të suksesshme përgjatë këtyre 12 viteve, për shkak të mos arritjes së konsensusit ndërmjet grupeve parlamentare lidhur me përmbajtjen e rregullores së re, por edhe të krizave politike të njëpasnjëshme të cilat kanë ndërprerë procesin. Ne fillim të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projekt – Rregulloren e re të punës, dhe aktualisht ky dokument është në fazën e amendamentimit nga ana e Komisionit parlamentar përkatës.
Për këtë arsye, KDI ka nxjerrë disa prej ndryshimeve që janë bërë në kuadër të projekt – Rregullores që konsideron që adresojnë nevojat e sotme të Kuvendit dhe e përmirësojnë jetën parlamentare.
Si nevojë për t’ju përgjigjur rrethanave të krijuara nga pandemia COVID 19, tashmë drafti i ri i Rregullores ka integruar rregullave të reja me anë të së cilave ka paraparë zhvillimin e punimeve në distancë të komisioneve dhe seancave plenare në rastet e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe rastet e gjendjes emergjente dhe mënyrën e votimit për të cilën të drejtë për të vendosë për modalitetet i është dhënë Kryesisë së Kuvendit.
Shpërfillje e deputetëve ndaj punimeve të Kuvendit, në mungesë të mekanizmave sanksionues, ka ndikuar dukshëm në çrregullimin e jetës parlamentare. Në kuadër të projekt-rregullores është adresuar kjo problematikë, ku parashihet një mekanizëm që obligon deputetët që për mungesat e tyre të njoftojnë kryetarin e Kuvendit, të komisionit apo kryesuesin e seancës. Ndërkaq parashihen sanksione financiare për deputetet të cilit nuk kanë njoftuar për mospjesëmarrjen e tij në seancë apo mbledhje të komisioneve, duke u zbritur nga paga bazë shuma financiare në masën e kompensimit për pjesëmarrje në seancë apo në mbledhje të komisionit.
Për të përmirësuar procedurat e shqyrtimit të projektligjeve dhe për të pamundësuar keqpërdorimin e mekanizmit të ‘procedurës së përshpejtuar’ projekt- Rregullorja e përcakton procedurën e përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjeve duke kategorizuar rastet për të cilat mund të përdoret kjo rregull (për të evituar nevojën e shmangies nga Rregullorja) dhe afatet kohore që duhet të përmbushen. Po ashtu përcakton edhe rregullin për shmangien e Rregullores me 2/3 e deputetëve të pranishëm, duke specifikuar që shmangia mund të bëhet vetëm nga afatet procedurale por jo edhe nga procedurat.
Praktika e caktimit të seancave të reja ende pa përfunduar seancat e mëparshme e kanë penguar mbarëvajtjen e punimeve. Kjo çështje tashmë është adresuar me Rregulloren e re, ku do të pamundësohet vazhdimi i shqyrtimit të pikave të tjera në rast të mungesës së kuorumit apo vullnetit për të votuar pikën e rendit të ditës, dhe në këtë mënyrë evitohen situatat kur në të njëjtën kohë janë të hapura 2 apo 3 seanca plenare, nga ky rregull përjashtohen rastet kur kërkohet votim nga 2/3 e të gjithë deputetëve ose 2/3 e shumicës së deputetëve).
Projekt – rregullorja adreson po ashtu problematikën e miratimit dhe rishikimit të buxhetit me procedurë të përshpejtuar, që ka pamundësuar që ky projektligj t’i nënshtrohet një debati konstruktiv parlamentar dhe konsultimeve të nevojshme me publikun. Në kuadër të projekt – rregullores parashihet procedurë të veçantë për shqyrtimin, amendamentin dhe miratimin e Projektligjit për Buxhetin Vjetor, dhe përfshirjen aktive të të gjitha komisioneve në shqyrtimin e buxhetit nga fushëveprimi i tyre, por duke ruajtur rolin qendror të Komisionit përkatës për Buxhet.
Në përputhje me procedurën parlamentare për shqyrtimin edhe të akteve të tjera juridike që kërkojnë 2/3 por kërkojnë vetëm një lexim siç është edhe Kushtetuta e Kosovës, projekt – Rregullorja lehtëson procedurën e shqyrtimit dhe miratimit të Rregullores, duke mundësuar ndryshimet të kërkuara qoftë nga Komisioni përkatës për Rregullore të Kuvendit apo së paku 6 (gjashtë) deputetë, përmes një leximi të vetëm dhe me vendim.
Projekt – Rregullorja po ashtu harmonizon të gjitha nenet që deri tani kanë kanë qenë subjekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese me ç’ rast nga aktgjykimet e kësaj trupe janë ndryshuar një pjesë e rregullave parlamentare, siç janë çështja e procedurave për seancën konstituive, procedurën e heqjes së imunitetit të deputetit, apo procedurën e humbjes së mandatit kur dënohet me vendim të formës së prerë për vepër penal.
Ndonëse është e pritshme që mund të ketë komente qoftë nga ana e grupeve parlamentare dhe nga palët e tjera, KDI konsideron që duke qenë se ky draft adreson në masë të madhe të gjitha problematikat e evidentuara tash e 11 vite, është e domosdoshme që komentet dhe amendamentet që do të propozohen të ruajnë konsensusin e krijuar dhe të mos dëmtojnë procesin e deritanishëm.