Lajme

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në KE nënkupton fundin e Marrëveshjes së Washingtonit

05/11/2022 16:29
nga:Astrit Gashi

Iniciativa e Prishtinës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës, mund të imponohet si një mosmarrëveshje e re ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, shkruan Euronews Serbia, përcjellë Gazeta Blic.

Çështja u vendos në qendër të vëmendjes pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi pas një takimi me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, se Kosova do të dorëzoi së shpejti aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, aq më tepër kur po duket se Gjermania po e mbështetë këtë iniciativë.

Çështja është shumështresore dhe problematike për disa arsye. Nga njëra anë, kjo do të nënkuptonte shpërfillje formale të Marrëveshjes së Washingtonit, e cila, ndër të tjera, parashikonte që palët të përmbahen nga kërkesa për anëtarësim në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, gjegjësisht të lobojnë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Nga ana tjetër, siç ka paralajmëruar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një kërkesë e tillë nga Prishtina do të nënkuptonte një përgjigje automatike nga Beogradi, pikërisht me nisjen e një fushate lobimi për tërheqje të njohjes së Kosovës.

Prandaj, kërkesa e Prishtinës do të ishte fundi i Marrëveshjes së Washingtonit të nënshkruar gjatë administratës së presidentit Donald Trump, e cila në masë të madhe ka mbetur një “shkronjë e vdekur në letër”, megjithëse, në fakt, të dyja palët janë takuar që nga nënshkrimi i saj në shtator të vitit 2020. Deri sot, edhe pse moratoriumi ka skaduar në shtator të vitit të kaluar, Serbia dhe Kosova i janë përmbajtur marrëveshjes për ndalimin e lobimit për tërheqjen e njohjeve dhe mosparaqitjen e kërkesave për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.