Lajme

Mungojnë ekspertët mjekësor, shtyhet gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon t’i njihet statusi i invalidit të UÇK-së

05/11/2022 15:46
nga:N M

Në mungesë të ekspertëve mjekësor ka dështuar të mbahet seanca e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Çështje Administrative, në rastin ku paditësi Berat Gllareva po kërkon nga Ministri e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) t’i njihet statusi i Invalidit të UÇK-së.

Me vendimin MPMS, paditësit iu është refuzuar kërkesa për njohjen e të drejtës për pension të invalidit të luftës, me arsyetim se e njëjta nuk është e bazuar, si dhe thuhet se pas nënshtrimit të komisionit, e njëjta është refuzuar nga komisioni qendror mjekësor.

Lidhur me mungesën e ekspertëve mjekësor Dabit Gjikolli, Sheremet Hasi dhe Avni Gjafa, gjykatësja e rastit Luljeta Maxhuni ka thënë se nuk ka provë se të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Në mungesë të kushteve ajo e ka shtyrë seancën për 7 qershor 2022.

Sipas padisë së ushtruar më 24 janar 2019, thuhet se paditësi gjatë luftës 1998-1999 ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), dhe se me datën 3 qershor 1999 i njëjti deri sa ishte duke i kryer detyrat e tij në fshatin Gorozub ishte sulmuar nga bombat kasetore nga aeroplanët luftarak serb, me ç’rastë kishte pësuar lëndime me rrezik për jetën, e duke mbetur me pasoja të përjetshme.

Tutje thuhet se, nga pasojat e plagëve të marra, mundësisë së trajtimit për shkak të rrethanave të luftës, paditësi kishte mbetur me pasoja të përjetshme e të cilat thuhet se çdo ditë e më shumë po e dobësojnë aftësinë e tij për kryerjen e aktiviteteve fizike.

Thuhet se pas përfundimit të luftës, paditësi kishte filluar rregullimin e dokumentacionit dhe të njëjtën e kishte dorëzuar pranë Departamentit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, e që me datën 1 nëntor 2000 iu është njohur statusi i Invalidit të Luftës të UÇK-së, në shkallë prej 10%.

Siç thuhet me kalimin e kohës iu është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe i njëjti kishte paraqitur kërkesë pranë të njëjtit departament që ti njihet statusi i Invalidit të Luftës së UÇK-së në shkallë prej 20%.

Por pas kësaj ankesë të njëjtit iu është refuzuar kërkesa për njohjen statusi i Invalidit të Luftës si të pa bazuar duke ia humbur edhe statusin e më hershëm në shkallë prej 10%.

Pas kësaj thuhet se i njëjti kishte ushtruar ankesë në shkallë të dytë por që ankesa e tij pa arsyetim ishte refuzuar.

Ekskluzive: Ministri i Shëndetësisë kërkon shkarkimin e Sekretarit Naim Bardiqi, Albin Kurti vendos ndryshe pas “intervenimeve”