Lajme

Zelensky iu drejtua parlamentit të Maltës: Nuk kemi armatim të mjaftueshëm

05/11/2022 01:08
nga:Astrit Gashi

Ukraina po përdor të gjitha mjetet e mundshme diplomatike për të organizuar shpëtimin e mbrojtësve të Mariupolit, por Rusia nuk pajtohet me asnjë nga shumë opsionet e propozuara, tha Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij, përmes videolidhjes,në Parlamentin e Maltës.

“Mbrojtësit mbeten ende në Mariupol dhe po vazhdojnë të ofrojnë rezistencë në territorin e fabrikës Azovstal”, tha Zelenski, transmeton Ukrinform.

Ai përmendi se Ukraina u kërkoi partnerëve të saj armët e nevojshme për të zhbllokuar Mariupolin dhe për të shpëtuar ushtrinë dhe civilët, por nuk mbërritën armë të mjaftueshme.

Zelensky u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të “shkatërrojnë ambicien e agresorit aktual për të pushtuar Ukrainën dhe vendet e tjera evropiane” dhe shtoi se ushtria e tij ka nevojë për aeroplanë, helikopterë, artileri speciale dhe armë të tjera.

Sipas tij, nuk ka dyshim se Rusia e di se çfarë po ndodh në Mariupol, sepse ushtria ruse mori urdhër të shkatërrojë qytetin dhe të vrasë sa më shumë njerëz, dhe aeroplanët rusë vazhdimisht hedhin bomba ajrore dhe bomba fosfori mbi ndërtesat në të cilat ende ka civilë.

Qyteti është bllokuar nga toka dhe deti, dhe më shumë se 90 për qind e të gjitha objekteve janë shkatërruar, si dhe është bllokuar dërgimi i ushqimit, ujit të pijshëm dhe ilaçeve, ka theksuar Zelensky, transmeton Ukrinform.