Lajme

Miftaraj: Duhet ta kemi një epilog se kur do të ngritet aktakuza e fundit nga Specialja

05/10/2022 22:13
nga:G B

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se duhet ta kemi një epilog se kur do të ngritet aktakuza e fundit nga Gjykata Speciale.

“E para, unë besoj që gjithmonë nëse e marrim për bazë atë komunikatën e parë të famshme të Prokurorisë në rastin aktual kundër zotit Thaçi dhe të tjerëve, ka shumë mundësi që të jenë edhe persona të tjerë të akuzuar në rastin e njëjtë dhe këtu unë besoj që është e rëndësishme për Prokurorinë sepse e thamë gjatë gjithë emisionit e kanë pasur kohën e botës që të bëjnë analizë, t’i verifikojnë të gjitha ato informata që i kanë trashëguar nga një numër i madh i mekanizmave që kanë hetuar për të njëjtat raste në mënyrë që ta kemi një datë potenciale se kur do të jetë aktakuza e fundit që do të ngritët në bazë të mandatit të kësaj gjykate”, ka thënë Miftaraj në “Tempus” të KTV-së.

Ai tha se për Republikën e Kosovës është me rëndësi që të ketë një datë eventuale se kur pritet të jetë aktakuza e fundit, sepse nëse prokuroria apo gjykata vazhdojnë me një efikasitet jo të duhur dhe iu kujtohet se kanë dëshmi për një rast të caktuar dhe të ngrisin një aktakuzë në vitin 2025 është jashtë çdo logjike.

“Kështu që prokuroria, gjykata në këtë rast gjykata më shumë do të duhej të kishte një kontroll shumë më të madh ndaj prokurorisë, të obligonte prokurorinë që si të themi të jetë më efikase. Unë dua të besoj që prokurorët dhe gjyqtarët në gjykatën speciale në Hagë nuk e kanë qasjen e gjyqtarëve të UNMIK-ut dhe të EULEX-it, kur këta gjyqtarë e lidhin vikendet, enjte, premte, shtune apo diele hane për të shkuar në pushime. Unë mendoj se duhet ta kuptojnë që jo vetëm në orar të punës por edhe jashtë orarit të punës t’i kryejnë detyrat, përgjegjësit e tyre në mënyrë që thjesht të kemi një epilog sa i përket aktakuzave të fundit që do të ngriten nga prokurori i specializuar. Pastaj unë besoj që gjykimet janë diçka tjetër ku sigurisht që në këtë rast gjyqtarët do të duhej të siguronin një proces të drejtë, do të duhej të siguronin që të drejtat edhe të viktimave të krimit, por edhe të pandehurve në procedurë thjesht të respektohen në mënyrë që pastaj të vijmë deri te një aktgjykim apo te një vendim që do të jetë i bazuar gjithmonë në prova, fakte dhe dëshmi” ka thënë Miftaraj.