Superliga e Kosovës në basketboll tashmë është në fazën finale.
Trepça dhe Peja janë duke u përballuar në gjysmëfinale, atje ku kërkojnë një biletë për finalen e madhe.
Mitrovicasit përfunduan garat e rregullta në pozitën e dytë, kurse pejanët eliminuan Bashkimin për tu kualifikuar në gjysmëfinale.
Ndeshja e parë përfundoi me fitoren e “Minatorëve”, me rezultatin 75:68, dhe tashmë skuadra nga Mitrovica ka avantazhin prej 1 me 0.
Njëri ndër basketbollistët më të dalluar në radhët e Trepçës në këtë edicion, Taurus Cockfield, ka folur për ‘GazetaBlic Sport’ para ndeshjes së dytë, takim ky që zhvillohet të enjten.
“Ndeshja e parë ishte padyshim një lojë e shkëlqyer nga skuadra dhe unë, pasi ne kemi punuar kaq shumë deri në këtë moment që ne të jemi në gjendje të konkurrojmë në nivelin më të lartë. Unë besoj se nëse të gjithë luajmë rolin tonë, do të kemi shanse të mëdha për të fituar ndeshjen . Por nuk dua të mos e respektoj Pejën pasi edhe ata janë një ekip i madh. Një ekip që vjen për të garuar dhe nuk dorëzohet kurrë“, tha fillimisht Cockfield.

Tifo-grupi mitrovicas, “Torcida”, dhuroi një atmosferë fantastike në ndeshjen e parë, me basketbollistin e Trepçës që ka një mesazh fantastik në drejtim të tyre.
“Torcida e ka bërë këtë sezon të mrekullueshëm! Më pëlqen atmosfera që qyteti sjell në palestër çdo lojë! Tifozët luajnë dhe kanë luajtur një rol të madh në suksesin tonë këtë sezon! Ne ju japim gjithçka dhe duam të luajmë të gjithë këtë play-off me pasion dhe energji të madhe. Ne duam një tjetër trofe“, përfundoi Cockfield për ‘GazetaBlic Sport’.
Ky takim zhvillohet të enjten në ora 20:30.


