Lajme

4600 ushtarë të NATO-s marrin pjesë në stërvitjen në Maqedoninë e Veriut, testohet gatishmëria luftarake e Aleancës

05/10/2022 16:43
nga:Astrit Gashi

Në Maqedoninë e Veriut do të zhvillohet një stërvitje e madhe ushtarake, në të cilën marrin pjesë rreth 4600 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të SHBA-së dhe aleatëve.

Stërvitja, siç thuhet, nis më 12 maj, në poligonin Krivollak. Qëllimi i stërtvitjes është të testohet niveli i gatishmërisë së forcave të NATO-s në rast se kriza ukrainase përhapet në Ballkan ose në Evropën Lindore.

Sipas portalit Rrjeti i Sigurisë Ballkanike, stërvitja e quajtur “Përgjigjja e Shpejtë 22” nis me zbarkimin e një batalioni të përforcuar nga Brigada 173 e parashutistëve amerikanë në Krivolak, përcjellë GazetaBlic.

Përveç ushtarëve amerikanë, në stërvitje do të marrin pjesë edhe pjesëtarë të forcave të armatosura të Maqedonisë së Veriut, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Greqisë.

“Hija e luftës në Ukrainë është e fortë dhe nuk ka më eufemizma politike në shpjegimet e skenarit të stërvitjes. Është e qartë se ky është një testim i forcave të NATO-s në rast se duhet të angazhohet në Ballkan ose në Lindje,”, thuhet në njoftim.

Është planifikuar angazhimi i 45 avionëve dhe helikopterëve dhe i rreth 1800 parashutistëve.

Portali shton se vendi qendror i stërvitjes është terreni stërvitor i Krivolakut, sepse është i rregulluar për stërvitje në kushte afër luftës. Në atë zonë përveç uljes do të tregohet edhe mbështetje direkte ajrore.

Stërvitja do të zgjasë deri më 20 maj dhe është pjesë e një stërvitjeje ndërkombëtare të organizuar me të njëjtin emër këtë pranverë në rajonet e Arktikut, Baltikut dhe Ballkanit, përcjellë GazetaBlic.