Analisti politik, Gazmir Raci ka komentuar udhëtimin përtej Atlantikut të kryeministrit Kurti ku kishte paralajmëruar vizita të shumta zyrtare.
Në një prononcim për GazetaBlic, Raci u shpreh se takimet e Kurtit me sektorin e IT-së janë shumë të rëndësishme për Kosovën, teksa nuk përjashtoi rëndësinë e madhe që kanë edhe takimet me diasporën.
Sipas Racit tani është koha e duhur që diaspora kosovare të investojë në Kosovë.
“Në bazë të asaj se çfarë kemi parë, Kurti ka takime edhe me sektorin e IT-së ku për Kosovën është shumë e rëndësishme që të futen investitor në fushën e teknologjisë”.
“Vazhdimet e takimeve me diasporën janë shumë të rëndësishme dhe shpresoj që diaspora kosovare të kalojë në një fazë tjetër, në fazën e investimeve direkte në Kosovë sepse është momenti që ata të investojnë në sektor të ndryshëm potencial që i ka vendi”.
Në anën tjetër, Kurti deri tash s’ka realizuar ndonjë vizitë në Shtëpinë e Bardhë, Departament të shtetit apo Dhomën e Përfaqësuesve, dhe për këtë Raci thotë se është e domosdoshme të bëhet një takim i tillë, sepse sipas tij rikonfirmohet vazhdimi i aleancës Kosovë-SHBA.
“Ne po presim takime pune edhe me qeverinë amerikane, Shtëpinë e Bardhë dhe Këshillin e Sigurisë kombëtare, sepse i rikonfirmojnë edhe njëherë vazhdimin e aleancës mes Kosovës dhe SHBA-ave, sidomos në këtë fazën kritike në të cilën gjendemi duke përfshirë këtu dialogun në Bruksel dhe sulmet ruse në Ukrainë”, përfundoi analisti për GazetaBlic.


