Lajme

Sarrazin: Dialogu mënyrë e vetme e zgjidhjes së marrëdhënieve Kosovë-Serbi

05/10/2022 12:26
nga:Q R

I dërguarin special gjerman për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin e ka takuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd, ku ka thënë se bisedimet janë mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura midis Kosovës dhe Serbisë dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme.

Sarrazin ka theksuar se politika e zgjerimit dhe puna për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një nga prioritetet e politikës së jashtme gjermane në vitet e ardhshme, duke theksuar dëshirën për një angazhim më të fortë të gjithë Bashkimit Evropian në rajonin tonë, transmeton Paparaci.

Vuçiqi ka pretenduar se “pret mbështetje konstruktive për dialogun dhe gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi që do të mundësojë stabilitet të qëndrueshëm në rajon me zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe mbi të gjitha formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Ai gjithashtu ka thënë se “Serbia do të vazhdojë të ndjekë rrugën e saj evropiane edhe më intensivisht dhe shprehu pritjen që angazhimi i të dërguarit të posaçëm Sarrazin do t’i jep një shtysë shtesë bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të kontribuoj ndjeshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”.

Në këtë kontekst, Vuçiq ka pretenduar se Serbia, “me qasjen e saj serioze dhe të përgjegjshme ndaj politikës rajonale, njihet si partner i besueshëm dhe i përgjegjshëm në rajon, i përkushtuar për dialogun politik dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve rajonale në të gjitha fushat”.

Ai ka shtuar se Serbia i “kushton rëndësi të madhe” Procesit të Berlinit, si forum për forcimin e bashkëpunimit rajonal, avancimin e procesit të pajtimit dhe tejkalimin e problemeve të trashëguara nga e kaluara, si dhe forum që mbështet integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor përmes projekteve dhe masave konkrete.

Vuçiq gjithashtu ka pretenduar se “Serbia angazhohet për zbatimin e plotë dhe të qëndrueshëm të Marrëveshjes së Dejtonit”, por kundërshton zgjidhjet e imponuara që nuk gëzojnë pëlqimin e të tre popujve përbërës, duke theksuar se “vendime të tilla nuk mund të çojnë në prosperitet dhe stabilitet në BeH”.