Lajme

EKSKLUZIVE: Martin Berishaj ishte në Kosovë javën e kaluar, raportoi tek Gërvalla- Presidenca e MPJ e mbajnë ‘sekret’

05/06/2022 19:53
nga:Gazeta Blic

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj i cili nga mediat sllovene u cilësua si protagonisti i aferës, ky dyshohet për shpërlarjen e 600 mijë eurove, ishte në Kosovë dhe atë larg syrit të opinionit publik, shkruan Gazeta Blic.

Berishaj ishte në Kosovë javën e kaluar ku pati takime edhe me drejtuesit e institucioneve të vendit, thonë burimet e Gazetës Blic.

Por, ky raportim i tij u mbajtë i fshehtë.

”Berishaj ishte në Kosovë javën e kaluar. Ai e ka takuar ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ka rapotuar në lidhje me aferën, për të cilën raportuan mediat në Slloveni”, tha një burim i Gazeta Blic brenda Qeverisë së Kosovës, pa dhënë detaje.

Gazeta Blic nuk ka arritur ta konfirmoj nëse Berishaj kishte pasur takime edhe me presidenten Vjosa Osmani.

Zyrtarisht nga Presidenca nuk kanë kthyer përgjigje tash e dy ditë, përkundër që ia janë dërguar pyetjet.

Kjo “vizitë” e tij në Kosovë erdhi pas kërkesës për raportim që i kishte bërë presidentja Vjosa Osmani, vetëm një ditë pas publikimit të skandalit në mediet sllovene.

“Njoftojmë qytetarët se Presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën. Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër”, kjo a ka qenë kërkesa e presidentes Vjosa Osmani për Martin Berishaj.

Pse u mbajt fshehtë raportimi i tij?!

Gazeta Blic ka kërkuar përgjigje nga Presidenca e Kosovës dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme në lidhje me raportimin e Berishajt, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Edhe opozita e analistët politik kanë kërkuar përgjigje nëse ka raportuar Berishaj.

Analisti politik Imer Mushkolaj, ka shkruar sot në Facebook pse po heshtet për këtë skandal.

“A ka raportu ambasadori Martin Berishaj, sipas kërkesës së presidentes? Çka ka raportu? Cili është versioni i tij për skandalin e pretenduar? Pse askush nga institucionet nuk flet më për rastin?”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Televizioni slloven, Planet TV, kishte raportuar se rreth 600 mijë euro në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, Berishaj.

Pas kësaj afere, drejtuesit e institucioneve pos që nuk e kanë marrë asnjë masë ndaj ambasadorit, ata i kanë dalë në mbrojtje Berishajt.

Vjosa Osmani kishte akuzuar edhe mediet kosovare për aferën Berishaj

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani një ditë pas publikimit të skandalit kishte thënë se i beson deklaratës që ai e kishte dhënë në një status në Facebook, ku kishte paralajmëruar padi ndaj medieve sllovene, raporton Gazeta Blic.

“Kjo s’është pyetje, është konstatim. Është për keqardhje se si ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovë se cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore”, kishte theksuar Vjosa Osmani në konferencë për media më datë 22 prill, vetëm një ditë pas publikimit të këtij skandali.

Pos presidentes Osmani, edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti e mbrojti ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Njeriu më i fuqishëm politikisht në Kosovë, Kurti kishte theksuar se raportimet e mediave sllovene, janë të pavërteta.

Nga ajo deklaratë e para dy javëve, Albin Kurti ka zgjedhur heshtjen totale.

Pos Kurtit, ashtu sic edhe pritej, i madh e i vogël nga Vetëvendosje i dolën në mbrotje ambasadorit Berishaj.

Ndërsa, vetë Berishaj pos një reagimi në disa rreshta, nuk ka demantuar thuajse asgjë nga raportimet e mediave sllovene dhe atyre kosovare.

“Shpifjet nuk kalojne! Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshem në mes akterve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kunder portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalen e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, kishte shkruar ai.

Martin Berishaj mashtroi shtetin Kosovar

Ambasadori Berishaj ka mashtruar edhe institucionet e Kosovës.Ai në formularin e deklarimit të pasurisë fare nuk i ka deklaruar kompanitë që i ka në Kosovë dhe në Mal të Zi.

Për Gazeta Blic ditë më parë kreu i Agjencisë Anti- Korrupsion, Yll Buleshkaj ka konfirmuar se ka nisut hetimet.

Pavarësisht aferës së publikuar nga mediat në Slloveni dhe mashtrimit në Kosovë, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë zgjedhur heshtjen. 15 ditë pas publikimit të skandalit, Berishaj vazhdon të jetë përfaqësuesi më i lartë diplomatik i Kosovës në shtetin kroat.