NATO do të rrisë praninë e saj në kufijtë e Suedisë dhe në Detin Baltik në një kohë kur aplikimi i mundshëm i vendit për t’u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut është duke u përpunuar, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg për televizionin suedez SVT.
Suedia dhe Finlanda fqinje mbetën jashtë Aleancës, por sipas Reuters, aneksimi i Krimesë nga Rusia në 2014 dhe sulmi i saj ndaj Ukrainës i bëri këto vende të rishqyrtojnë politikën e tyre të sigurisë dhe anëtarësimi në NATO duket gjithnjë e më i mundshëm.
Të dy vendet po kërkojnë garanci për mbrojtje ushtarake gjatë procesit të aplikimit për anëtarësim në NATO, i cili mund të zgjasë deri në një vit derisa të miratohet nga të gjithë anëtarët.
“Jam i bindur se do të gjejmë zgjidhje për nevojat e sigurisë që do të ketë Suedia në periudhën e tranzicionit”, tha Stoltenberg për SVT.
“Nga momenti i mundshëm kur Suedia aplikon dhe NATO deklaron se dëshiron që Suedia të anëtarësohet, ka një angazhim shumë të fortë nga NATO që të jetë në gjendje të garantojë sigurinë e Suedisë”, tha Stoltenberg, duke shtuar se kjo do të përfshinte një prani të shtuar rreth Suedisë dhe Detit Baltik.
Moska ka paralajmëruar Suedinë dhe Finlandën për “pasoja të rënda” dhe se mund të vendosë armë bërthamore dhe raketa hipersonike në enklavën e saj në Kaliningrad nëse Suedia dhe Finlanda bëhen anëtarë të NATO-s.


