Lajme

Mesazhet në Berlin për dialogun, a është afër marrëveshja finale me Serbinë?

05/08/2022 15:12
nga:G B

Pas gati një viti është mbajtur një takim në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç.

Dy liderët u takuan në Berlin me ftesën e kancelarit gjerman Olaf Scholz, të cilët ai i takoi ndaras e më pas të dy darkuan bashkë me ndërmjetësuesin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Lidhur me takimin e tyre pati kritika e lëvdata.

Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se ky takim ishte i rëndësishëm për dy arsye.

“Takimi i djeshëm ishte i rëndësishëm për faktin që pas shumë kohësh u organizua një takim i nivelit të lartë politik mes kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë. Ishte i rëndësishëm edhe për faktin që ky takim u zhvillua në Berlin me ftesë të kancelarit gjerman duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm të Gjermanisë në procesin e dialogut”, ka thënë ajo.

Haxholli vlerëson se mesazhet ishin të qarta për Kosovën e Serbinë.

“Mesazhet nga takimi ishin të qarta se Kosova dhe Serbia duhet të përkushtohen ndaj dialogut dhe të rrisin përpjekjet për arritjen e një marrëveshje finale që zgjidh kontestet në mes të dy vendeve”, thekson ajo për Gazeta Blic.

Ndërsa, lidhur me atë se a mund të jetë më afër marrëveshja mes dyja vendeve, ajo vlerëson se nuk mund të dihet por që më e rëndësishme se koha është përmbajtja e saj dhe zbatueshmëria.

“Se a është kjo marrëveshje afër është vështirë të thuhet pasi shumë herë është tentuar që të vendosen apo të parashikohen afate mirëpo deri më tani asnjë nga ato afate nuk është përmbushur. Në këtë drejtim më e rëndësishme se koha se kur mund të arrihet një marrëveshje e tillë është përmbajtja e saj dhe zbatueshmëria në praktikë”, shprehet hulumtuesja nga KDI.

Ajo potencon se marrëveshja finale varet nga vullneti i Kosovës dhe Serbisë, teksa shton se kjo e fundit duhet ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur.

“Në fund, pavarësisht qëllimit të mirë të ndërmjetësve dhe mbështetësve të procesit të dialogut, arritja e një marrëveshje finale varet nga vullneti i Kosovës dhe Serbisë nëse ato do të jenë të gatshme që të arrijnë këtë marrëveshje. Në këtë drejtim gatishmëri duhet të tregojë Serbia e cila duhet të lëvizë nga pozicionet e saj dhe të pranojë faktin që Kosova është shtet i pavarur”, ka deklaruar Violeta Haxholli./Gazeta Blic/