Lajme

Dega në të cilën qëndron ulur nuk duhet të pritet

05/04/2022 15:46
nga:Gazeta Blic

Shkruan: Ismet Kryeziu

Së fundmi janë marrë tri vendime të një rëndësie të veçantë në Kuvendin e Kosovës, mbi nevojën e të cilave partitë politike u pajtuan me një konsensus të gjerë në parim.

Një zhvillim shpresëdhënës. Por, ne rikujtojmë se këto tri nisma ligjore nuk është se këtë vit janë marrë për herë të parë dhe janë sjellë për herë të parë në Kuvend. Në dekadën e fundit ato janë sjellë dhe tërhequr nga kuvendi pa marrë epilogun përfundimtar, për idenë dhe reformimin e sistemit politik e përfaqësues, për çka dhe janë iniciuar.

Rregullorja e Kuvendit, Ligji për financimin e partive politike, reforma zgjedhore nuk janë vetëm ligje por kërkojnë vullnet politik dhe përkushtim profesional, përmes së cilave demokracinë parlamentare dhe përfaqësimin politik e partiak e ngrisim në një nivel tjetër. Janë përtej ligjit, janë vlera të domosdoshme që i duhen politikëbërjes dhe zhvillimit demokratik në vendin tonë.

Unë e di që këto tema edhe mund të duken të parëndësishme, të vogla e të thjeshta. Ndoshta për shumicën prej jush, as nuk duhet të jenë prioritet ne mesin e shume temave dhe zhvillimeve politike ditore qe ndodhin tek ne . Por këto tri tema kanë peshën dhe fuqinë themelore për të qenë fillimi i ndërtimit të një shteti pa korrupsion dhe me një demokraci të konsoliduar.

Kuvendi i Republikës së Kosovës ne dekadën e fundit është përballur me sfida serioze të cilat kanë cenuar funksionimin normal dhe kanë penguar përmbushjen e mandatit të tij kushtetues. Mungesa e kuorumit, mospjesëmarrja e rregullt e deputetëve në punime, përdorimi i praktikave jo-parlamentare, gjuha jo parlamentare dhe mbikëqyrja e dobët parlamentare janë vetëm disa prej sfidave dhe ngecjeve që e kanë përcjellë punën e Kuvendit.

E dini sa herë deputetët i dështojnë seancat plenare me mungesat e tyre? Ata vijnë dhe shkojnë nga Kuvendi duke të krijuar përshtypjen se kuvendi nuk është vendi për të Kuvenduar.

E shpeshherë më shumë se për të kuvenduar kane ardhur për ‘’show’’ e spektakle politike. E dini sa herë Kuvendi nuk i ka pasur numrat, sepse deputetët vijnë e nënshkruhen për të përfituar mëditjet e jo për të votuar ligjet.

E mëditja e një deputeti është gati ne vlere sa paga minimale në vend. Prandaj ne besojmë rregullorja e re mund dhe duhet ta ndryshojë këtë gjendje, është mundësi e re për të ndihmuar në funksionalizimin e punës së Kuvendit, përmirësimin e përfaqësimit të qytetarëve.

Ajo do t’a nxiste edhe promovonte kreativitetin dhe përgjegjësinë e të zgjedhurve. Ajo duhet të mundësojë qe Kuvendi të shndërrohet në rregullator të cilësisë së demokracisë parlamentare. Për me tepër rregullorja e re mund te mundësojë qe te kemi një Kuvend për punë e jo për show.

Ligji për financimin e subjekteve politike, që është sjellë e tërhequr disa herë nga Kuvendi, nuk është më pak i rëndësishëm se Rregullorja e Kuvendit. Ky projektligj, i cili gjendet në mes të dy leximeve në Kuvend, do të promovojë dhe ngrisë në një nivel tjetër jetën politike, transparencën dhe demokratizimin e partive politike.

Nëpërmjet këtij ligji, partitë do të rrisin llogaridhënien jo vetëm në tërheqjen e fondeve, por edhe në mënyrën e menaxhimit dhe shpenzimin me këto fonde. Projektligji aktual për financimin e subjekteve politike vazhdon të mbetet një nga rekomandimet kyçe të Komisionit Evropian dhe të Agjendës për Reformë Evropiane.

Prandaj, gjatë viteve të fundit qeveritë e Kosovës së bashku me ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë kanë punuar gjatë që ky ligj të adresojë mangësitë e ligjit paraprak.

Këto ndryshime kanë marrë dritën e gjelbër edhe nga Komisioni i Venedikut. Pra, ky projektligji i ri na jep një perspektivë tjetër.

Mundëson të kemi kandidatë që kallëzojnë se sa harxhojnë! parti “pa kesh”, mundëson te kemi donatorë që kanë emra. A e dini se kemi parti politike që në kohë zgjedhjesh kanë deklaruar se kanë pranuar vetëm 34 Euro donacion? E takimet publike, fushatat, mobilizimi votuesve dhe prezantimi në media, prezantimi i programeve, këngëtaret e të gjitha këto kushtojnë shumë më shumë se sa subjektet politike deklarojnë. Ky projektligj i cili mund të mos jetë më i miri, është shumë më i mirë sesa ai që kemi aktualisht.

I nderuar dëgjues, qytetar apo politikan, ne mund ta ngritim pyetje ne nivel tjetër pse kemi nevojë ti çelim kuletat e subjekteve politike? Unë mund të ju them se ne duhet ta bëjmë, sepse ato kuleta janë të mbushura kryesisht nga taksat tona. Partitë marrin çdo vit mbi 4.2 milionë euro nga taksat tona, sigurisht marrin edhe fonde e dhurata nga simpatizantët dhe donatorët që mbështesin dhe besojnë në vizionin dhe angazhimin e tyre. Vetëm me parti transparente mund të pritet qeverisje llogaridhënëse e institucione të përgjegjshme.

Reforma zgjedhore e iniciuar para me shumë se një dekade, ajo asnjëherë nuk mori formën dhe epilogun e nevojshëm, për t’i shndërruar zgjedhjet në një platformë jo vetëm për zgjedhje por dhe për zgjidhje. Institucionet tona nuk arritën asnjëherë brenda më shumë se një dekade t’a qojnë deri në fund mandatin e tyre qeverisës, duke keq-shfrytëzuar sistemin zgjedhor.

E Sistemi aktual ja u ka mundësuar që partitë politike të jenë të orientuara drejte liderëve, e që mandati qeverisës të jetë interes e marrëveshje mes këtyre katër-pesë liderëve. Prandaj Reforma zgjedhore duhet të jetë në funksion të zhvillimit të cilësisë së demokracisë kosovare krahas vlerave universale me demokracitë e qëndrueshme të cilat i synojmë. Ajo duhet të përmbajë një dimension vërtetë reformues, që adreson dhe përmirëson strukturën e sistemit politik në tërësi.

Opsionet për sistemin zgjedhor duhet të përfshijnë sjelljen e partive, kandidatëve, votueseve, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien e të zgjedhurve.

Disa OJQ, në mesin e tyre dhe ne si KDI, patëm nisur ta sfidonim në Kushtetuese ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, konkretisht nenin për pensionet suplementare.

Sipas procedurave takuam Avokatin e Popullit për t’i kërkuar që ta dërgojë iniciativën tonë në kushtetuese! Dhe, a dini cila ishte përgjigja e tij? “Dega mbi të cilën qëndron ulur, s’duhet të pritet”. Avokati i Popullit, është i tillë sepse aty është për t’i mbrojtur interesat e popullit, e jo për të treguar fjalë të urta të popullit.

Ai nuk e kishte guximin e as integritetin për ta dërguar ligjin në kushtetuese, sepse ai zgjidhej nga po këta deputetë. E kjo, sot krejt do te ishte e parëndësishme sikur kjo mos të shndërrohej në postulat politik të jetës politike e institucionale tek ne.

E rëndësia sot qëndron tek fakti që këto tri nisma të Kuvendit mund të presin degët ku qëndrojnë të ulur vet këta deputetë e liderë partiak.

Partitë, më shumë se të jenë zëri i ynë, shpesh kanë treguar tendencë të jenë peng i aspiratave e interesave të njerëzve te fortë. Prandaj, progresi demokratik ka nevojë për më shume zë, të mediave kritike e gazetarëve të guximshëm, e të neve si OJQ, për të rritur përgjegjësinë dhe kualitetin e ndryshimeve të domosdoshme.

Kritikat tona dhe ekspozimi i të metave të subjekteve politike, liderëve të tyre, e të institucioneve nuk janë refuzim ndaj shtetit e as pushtetit. Përkundrazi. Ato janë angazhim e kontribut për një demokraci funksionale, pushtet e parti politike të përgjegjshme e përfaqësim dinjitoz nga të zgjedhurit tanë.

Njerëzit e veshur me pushtet gjithnjë angazhohen që ta rrisin fuqinë e pushtetit dhe këtë fuqi ta koncentrojnë në sa më pak duar.

Këto janë dy nga shumë karakteristika të pushtetit. E këto subjekte politike liderët e tyre tek ne, më së miri e kanë demonstruar se apetitet e tyre për pushtet janë të pakufizuara.

Nëse nuk ua kufizojmë Ne? E kufizimi i fuqisë së pushtetit për ta, për ne është zgjerimi i mundësive për një demokraci të konsoliduar, ku vjen në shprehje mirëqeverisja, llogaridhënia dhe përgjegjësia.

Të nderuar deputetë krejt në fund për ju, ne nuk ju kemi zgjedhur për të përmbushur interesat tuaja, por për të përmbushur shpresën dhe ëndrrat tona. Prandaj, mos e merrni si të mirëqenë degën ku jeni ulur, mos e ktheni karrigen në një shtrat të rehatshëm për ju.

Mendoni përtej interesave tuaja dhe interesave të partisë, këto nisma ligjore mos i trajtoni si dega ku jeni ulur por si mundësi e angazhim për progresin demokratik që kemi nevojë.