Lajme

Takimi i Kurtit me Scholz, Pula: Paqja Kosovë-Serbi arrihet vetëm me SHBA-të në dialog

05/04/2022 12:28
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar drejt Gjermanisë, ku pasdite do të takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin.

Me kancelarin gjerman do të takohet ndaras edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ftesë për takim në Berlin përpos tyre ka marrë edhe Miroslav Lajçak, i cili më pas do të takohet bashkë me Kurtin dhe Vuçiqin.

Se çfarë pritet nga ky takim, ku Gjermania po përfshihet në dialog, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka thënë për Gazetën Blic se ftesa e kancelarit gjerman është protokollare.

“Ftesa e kancelarit gjerman, zotëri Scholz ndaj kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, së pari është protokollar, njohës dhe fotografik, meqë i njëjti është zgjedhur në dhjetor të vitit që lamë pas dhe nevoja për njohje ndërpersonale konsiderohet më se e nevojshme, meqë si njëri dhe tjetri janë palë në dialog që përfaqësojnë dy shtete fqinje”, ka thënë ai.

Sipas Pulës, Gjermania po e luan rolin e saj në Evropë, si përgjegjëse për kujdesjen e dialogut dhe ka për qëllim t’i dëgjojë palët.

“Së dyti, Gjermania për rolin që ka në Evropë, dhe brenda strukturës institucionale politike, të Unionit Evropian po ashtu e bën përgjegjëse të kujdeset mbi mbarëvajtjen e procesit të dialogut. Së treti, Gjermania është nismëtare e procesit të Berlinit (kujto ish-kancelaren Merkel), dhe natyrshëm kërkon që t’i dëgjojë palët mbi kërkesat për të mos prolonguar dialogun që tashmë nga të gjitha palët konsiderohet i tejzgjatur. Emërimi i zotëri Manuel Sarrazin, nga ana e qeverisë federale të Gjermanisë për Ballkanin perëndimor, tregon qartazi përkushtimin e Gjermanisë, veçanërisht lidhur me situatën aktuale, nevojën për stabilitet dhe perspektivë evropiane, e edhe si prioritet kryesor strategjik i Gjermanisë”, ka potencuar njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare për Gazeta Blic.

Por ai vlerëson se dialogu ka nevojë për mbështetje të fortë nga ana e SHBA-ve, ku përfshirja e tyre në dialog do t’i largonte të gjitha hendeqet në rajon dhe se vetëm me SHBA-të mund të arrihet paqja e përhershme në mes të Kosovës e Serbisë.

“Ballkani Perëndimor, e veçanërisht dialogu Kosovë Serbi, ka nevojë për një mbështetje të fortë dhe parimore nga ana e ShBA-ve. Gjermania dhe Franca janë promotore të të gjitha proceseve në Evropë dhe Union Evropian, por, kur ShBA-ja përfshihet sikur i mënjanon të gjitha hendeqet në rajonin tonë. Andaj dhe, përfshirja e ShBA-së me emërimin special të Gabriel Escobar por edhe të Stuart Peach (Britania e Madhe), është më shumë se kur e domosdoshme për arritjen e një paqeje të përhershme ndërmjet Kosovës e Serbisë, duke mbyllur një herë e mirë çështjet e pazgjidhura”, ka thënë Shqiprim Pula.