Lajme

Admirali britanik: “Rusia nuk ka përmbushur objektivat në Ukrainë, NATO nuk ka qenë kurrë më e fortë”

05/04/2022 11:08
nga:Astrit Gashi

Kreu i forcave të armatosura britanike tha se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk arriti të përmbushë qëllimin fillestar të pushtimit ushtarak të Ukrainës.

Admirali Tony Radakin, shefi i Shtabit britanik të Mbrojtjes, tha se është i befasuar nga dështimet e Rusisë dhe se beson se presidenti rus po izolohet gjithnjë e më shumë, përcjellë GazetaBlic.

Ai shtoi se Putini tregon cilësitë e një lideri autokratik.

Kreu i forcave të armatosura britanike tha se Rusia priste të ishte në gjendje të sulmonte Ukrainën, të merrte qytetet brenda pak ditësh dhe të merrte kontrollin e vendit brenda 30 ditëve.

Ai theksoi se rusët fillimisht kishin ambicie për të pushtuar të gjithë Ukrainën, për të shtypur aleancën e NATO-s dhe për të treguar fuqinë e Rusisë.

“Gjithçka ka dështuar, NATO nuk ka qenë kurrë më e fortë se tani,” tha Radakin.

“Dështimi i Rusisë është rezultat i dështimit të shërbimeve të inteligjencës dhe arrogancës së pabesueshme”, tha ai, duke vlerësuar zgjuarsinë dhe guximin e forcave të armatosura ukrainase.

Radakin tha se pritej më shumë nga sulmi rus dhe se Rusia tashmë ka pësuar një disfatë taktike, sepse është e detyruar të zhvendosë vëmendjen e saj në rajonin e Donbasit, në Ukrainën lindore.

Admirali tha se Rusia nuk arriti të ndërpresë komunikimin ukrainas, gjë që i mundësoi Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të bisedonte me botën gjatë gjithë luftës.

Por Rusia gjithashtu nuk arriti të krijojë epërsi as ajër, ndërsa forcat tokësore dhe detare në operacionet e tyre nuk ishin dinamike, shtoi ai.

“Operacionet ajrore janë planifikuar shtatë deri në 10 ditë përpara. Është pak e çuditshme të ngelesh pa karburant, kur je vetëm 257 kilometra thellë në Ukrainë,” tha Radakin për autokolonat ruse që ndaluan në ditët e para të luftës.