Lajme

Stërzgjatja e procesit ndaj të akuzuarve në Hagë, Kurti bisedon me avokatët mbrojtës

05/03/2022 17:05
nga:Genita C

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, sot bashkëbisedoi me të gjithë avokatët dhe bashkë-avokatët e ekipeve mbrojtëse të shqiptarëve të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ky takim u mbajt online dhe zgjati gati dy orë dhe gjatë tij u diskutuan kërkesat e ekipeve mbrojtëse për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Takimi u mbajt si rezultat i nevojës për të diskutuar dhe adresuar kërkesat e bëra nga ekipet mbrojtëse: procesi i stërzgjatur i mbajtjes në paraburgim të të akuzuarve, mos-respektimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mungesa e përkthimeve dhe, në veçanti, mosmarrja në konsideratë e okupimit dhe krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta.

Kryeministri Kurt gjatë këtij takimi propozoi që takimet e tilla të vazhdojnë e të jenë të rregullta.

Të gjitha ekipet u shprehën tejet mirënjohëse për mundësinë e diskutimit direkt me Kryeministrin Kurti, dhe shprehën falënderim me faktin që Qeveria e Kosovës po tregon interesim dhe angazhim në lidhje me procesin para Dhomave të Specializuara.

Thaçi e të tjerët më 10 maj dalin para gjykatës pas akuzave të reja për krime lufte