Lajme

Presidenti slloven konsiderohet si njohësi më i mirë i Putinit, Pahor: “Kam humbur çdo besim në arsyen e tij”

05/03/2022 15:21
nga:Astrit Gashi

Presidenti slloven Borut Pahor e njeh Putinin më mirë se çdo burrështetas tjetër evropian.
Ai thotë se Putini tani është në gjendje të bëjë pothuajse gjithçka dhe u bëri thirrje evropianëve që të vazhdojnë të armatosin Ukrainën.

Pahor ka dhënë një intervistë për revistën prestigjioze gjermane “Spiegel”, në të cilën fillimisht kujtoi se presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi me “reagim rrufe” ndaj vendeve që mbështesin.

I pyetur se sa seriozisht duhen marrë fjalët e Putinit, Pahor tha se fjalët e Putinit “për fat të keq duhet të merren shumë seriozisht”.

Ai tha se po t´iu kishte parashtruar kjo pyetje në muajin shkurt, “përgjigjja do të ishte ndryshe”, por prej momentit kur , Putin vendosi të sulmojë Ukrainën,“unë kam humbur çdo besim në arsyen e tij”, tha presidenti slloven.

Pahor nuk e përjashton më mundësinë që Rusia të përdorë armë bërthamore dhe beson se “një hap i tillë do të ishte krejtësisht irracional”.

Ai gjithashtu vuri në dukje se nuk ka absolutisht asnjë besim në udhëheqjen ruse “dhe kjo është me të vërtetë e frikshme pas tre dekadash përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë”.
Pahor tha se tani është thelbësore që evropianët të jenë të bashkuar dhe të bëjnë gjithçka për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj.

“Ishte e vështirë të imagjinohej që Rusia mund të pushtonte Ukrainën. Unë personalisht investova shumë në marrëdhëniet midis Lubjanës dhe Moskës. E dija që Putini i qëndronte besnik vizioneve të vjetra për Rusinë si një fuqi e madhe. As që e dija se ai do të përdorte forcën brutale ushtarake për të realizuar atë vizion”, tha Pahor.