Qëllimi i kancelarit gjerman Olaf Scholz, i cili do të zhvillojë bisedime me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, është të kontribuojë në zgjidhjen e çështjes kyçe të pazgjidhur të Kosovës në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të parandalojë hapjen e fronteve të reja në Evropë, gjatë kohës sa po vazhdon lufta në Ukrainë, ka deklaruar ish-i dërguari i BE-së për Kosovën, Wolfgang Petritsch, përcjellë GazetaBlic.
Kancelari Scholz do të ketë bisedime të ndara me Vuçiqin dhe Kurtin të mërkurën në Berlin, në prani të të dërguarit të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak.
Petritsch tha se ka përshtypjen se Gjermania tani dëshiron të jetë më aktive në Ballkanin Perëndimor.
“Fakti që kancelari Scholz ka marrë iniciativën për të trajtuar çështjet e pazgjidhura në Ballkan, dëshmon se ai synon të zgjidhë çështjet për të cilat Moska mund të jetë e interesuar,” tha ai.
Sipas tij, për shkak të luftës në Ukrainë, Perëndimi ka interes të mos hapë fronte shtesë.
Ai ka theksuar se përfshirjen më aktive të Gjermanisë e ka përgatitur shefja e diplomacisë, Analena Baerbock, gjatë vizitës së saj të fundit në Beograd dhe Prishtinë.
Petritsch, i cili konsiderohet si një nga ekspertët më të mirë të Ballkanit në Austri, thekson se Ukraina është aktualisht një prioritet, së cilës i kushtohet gjithë vëmendja e vendeve evropiane, sepse është një luftë në tokën evropiane, por që problemet e pazgjidhura në Ballkani Perëndimor nuk duhet të neglizhohet.
Siç thotë ai, Berlini është i vetëdijshëm për këtë, dhe se padyshim dëshiron të parandalojë përshkallëzimin e konfliktit në atë rajon.
Petritsch theksoi se do të jetë shumë e rëndësishme që Kurti të “lëvizë” për të vazhduar dialogun.
“Këto bisedime do të tregojnë se sa është Kurti i gatshëm të jetë më fleksibël, dhe të kontribuojë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Më kujtohen bisedimet e Rambujesë kur një negociator rus tha se duheshin dy për tango. Pra për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të dyja palët duhet të tregojnë përgjegjësi më të madhe, pra Kurti duhet të lëvizë”, theksoi Petritsch.
Petritsch u shpreh se duhet lëvizur në kërkim të një zgjidhjeje të përhershme për targat.
“Ka shumë çështje individuale në dialog, teknike dhe politike, të cilat duhet të zgjidhen për të arritur përparim. Gjermania mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë. Më duket se qeveria aktuale gjermane është disi më aktive se në të kaluarën”, tha Petritsch, përcjellë GazetaBlic.


