Lajme

Salihu: Kemi bërë shumë pak për të argumentuar krimet e luftës

05/02/2022 21:29
nga:Gazeta Blic

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu tha në Tëvë1 se edhe pse kanë kaluar 23 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë nuk është punuar sa duhet për mbledhjen dhe sistemimin e argumenteve të luftës.

Mirëpo sipas Salihut janë disa individë të cilët me vullnetin dhe angazhimin e tyre kanë bërë punë shumë të madhe sa i përket argumentimit të krimeve të luftës në Kosovë. Ai ka përmendur edhe themelimin e Institutit për Krimet e Luftës në vitin 2011, i cili është mbyllur në vitin 2018 pasi që nuk është ndihmuar të krijohen kushte tjera më të mira.

“Ne shumë pak kemi bërë deri më tani për këto 23 vite, në punën, në argumentimin, në mbledhjen dhe sistemimin e argumenteve të luftës, duke i përjashtuar veprimtarët individual të cilët me vullnetin e tyre, me angazhimin tyre, me përkushtimin e tyre kanë bërë punë shumë të madhe. Lidhur me këtë me lejoni të ju them se në vitin 2011 sa ishte Ministër i Drejtësisë profesori Hajredin Kuçi, ishte themeluar Instituti për Krimet e Luftës. Në atë institut kemi qenë shtatë të punësuar… dhe gjatë asaj kohe edhe pse në kushte të pavolitshme shumë patëm arritur që t’iu bëjmë rreth studimeve mirëpo në vend që ai institut të begatohet me kuadro, të suportohet, të ndihmohet të krijohen kushte tjera më të mira, në vitin 2018 instituti është mbyllur”, tha ai.

Tutje Salihu në emisionin “ResPublika” në Tëvë1 tha se shpreson që qeverisja aktuale të punoj për rithemelimin e Institutit për Krimet e Luftës duke theksuar se në Bosnjë e Hercegovinë ky institut është themeluar që nga fillimi i luftës atje në vitin 1991 dhe ende është duke punuar edhe pas 30 viteve.

“Lidhur me këtë ju them se në Bosnjë e Herecegovinë ne vitin 1991 me shpërthimin e luftës kryetari i atëhershëm Izet Begoviq me një dekret të posaçëm e ka themeluar institutin për krime të luftës që duhet të hulumtojë në Bosnjë Hercegovinë me një kuadër rreth 15 veta dhe ai institut ende është duke punuar qe gati mbi 30 vite dhe në kushte optimale, çdo krim çdo varrezë masive, çdo masakër është evidentuar ndërsa tek ne ajo mbyllet. Unë shpresoj që së shpejti do të rithemelohet dhe do ta marrë me seriozitet këtë punë”, theksoi Salihu.